Tashmë është zyrtare: Horge Sampaoli nuk do të jetë më trajner i Argjentinës. Lajmi që nisi të qarkullonte prej paradites së kësaj të diele, u konfirmua në mbrëmje nga vetë Federata Argjentinase e Futbollit.
Institucioni i vendit latin arriti marrëveshjen ekonomike me përfaqësuesit e trajnerit, për të mbyllur përpara kohe marrëveshjen. Sampaoli largohet nga posti i trajnerit të Kombëtares së Argjentinës dhe në këmbim përfitoi 2 milionë euro dëmshpërblim.
Konfirmimi u dha nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare të AFA-s. “Federata Argjentinase e Futbollit dhe ish-trajneri i Kombëtares, Horge Sampaoli, gjetën akordin e përbashkët për prishjen e kontratës”, shkruante federata.
Njoftimi vazhdonte: “Nga detyra në përfaqësuese largohen edhe përgatitësi atletik, Horge Desio dhe analisti i videove, Matias Mana. Të martën e ardhshme do të përcaktohet se cili do të jetë trajneri i ekipit të 20-vjeçarëve në turneun COTIF L’Alcudia 2018”.