Vllaznia ka nisur prej kohësh një bashkëpunim me “Derby Football Academy”, që i ka selitë e saj në Nigeri. Ky bashkëpunim është konkretizuar më në fund edhe me një transferim, pasi Vllaznia ka siguruar firmën e talentit 19-vjeçar, Kristofer Jesus.
Sulmuesi ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me klubin shkodran dhe është sot është bërë zyrtarizimi i tij nga vetë klubi i Vllaznisë, që synon me doemos rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Njoftimi i Vllaznisë – Bashkëpunimi i nisur pak kohë më parë në mes KF Vllaznia dhe “Derby Football Academy” të Nigerisë është konkretizuar sot me firmosjen e futbollistit të parë të kësaj të fundit me klubin shkodran. Bëhet fjalë për futbollistin Izunna Christopher Metu Jesus, një 19 vjeçar që konsiderohet një nga më të talentuarit e kësaj Akademie dhe që nga sot është zyrtarisht pjesë e KF Vllaznia.
Ai ka firmosur për një sezon me klubin tonë dhe pritet të mbërrijë në ditët e ardhshme në Shqipëri, për t’u vënë menjëherë nën urdhërat e trajnerit Hasan Lika. Metu Jesus luan në pozicionin e sulmuesit dhe bashkë me lojtarët e tjerë të këtij reparti, pritet të bëjnë më të mirën për skuadrën në gjysmën e dytë të sezonit. Ardhja e këtij lojtari kësisoj është fillimi i zyrtarizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që dy drejtuesit e lartë të klubit Vllaznia, administatori Lici dhe drejtori sportiv Firat patën arritur muajin e kaluar gjatë vizitës së tyre në Nigeri.