Mirçea Redniç e tha që një ditë më parë: Naser Aliji do të jetë lojtari më i ri i Dinamos së Bukureshtit. Sot ka ardhur edhe zyrtarizmi. Që paradite mbrojtësi i majtë, i cili mund të luajë edhe në qendër, ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas është prezantuar. Ai do të mbajë numrin shtatë në fanellë, i çuditshëm për një mbrojtës.
Për mbrojtësin 24-vjeçar, do të nisë një aventurë e re, me një prej klubeve më të suksesshme në historinë e futbollit rumun, teksa ka fituar 18 tituj kampionë dhe 13 Kupa. Pas aktivizimit me Virtus Entelan gjatë sezonit të kaluar, Aliji ishte pa skuadër prej qershorit të kaluar, pasi vendosi të qëndronte pranë familjes, në muajt e fundit të jetës së babait të tij.
Tashmë, pas momenteve të vështira në jetën personale, djaloshi nga Kumanova është prezantuar te Dinamo e Bukureshtit, me synimin për t’u rikthyer si protagonist. Në të shkuarën në të njëjtin ekip kanë luajtur Elis Bakaj dhe Sulejman Demollari, madje ky i fundit ka fituar titullin kampion dhe “Kupën e Artë”.