Një goditje e fundit, për të mbyllur në mënyrën më të mirë merkaton dhe për ta cilësuar skuadrën të kompletuar. Në orët finale përpara mbylljes së afatit të transferimeve, Kamza zyrtarizoi edhe portierin Mario Kirev.
“Gjigandi” bullgar i njoftuar nga “SportEkspres” është zyrtarisht lojtari i ri, i skuadrës nga periferia e kryeqytetit. Njoftimi u dha nga klubi në faqet zyrtare në rrjetet sociale. Me afrimin e portierit 29-vjeçar, Kamza siguron edhe portën, duke bërë që edhe aty të ketë konkurrencën. Kirev tashmë do të rivalizojë me Ilir Avdylin për vendin e titullarit.
Sezonin e kaluar, portieri 193 centimetra i gjashtë ishte pjesë e Nea Salamis në elitën e futbollit qipriot, aty ku luajti nëntë ndeshje në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa më parë ishte pjesë e Slavias të Sofies.
Mario Kirev është një “gardian” që të paktën për nga e kaluara pritet të luftojë menjëherë për të qenë numri 1, pasi në moshë të re ishte në përfaqësuesen Shpresa të Bullgarisë, ka qenë pjesë e Juventusit në Itali, ndërsa është aktivizuar edhe në Rumani me Poli Timishoara dhe Olt Slatina.