Zyrtare/ Elbasani feston titullin me goleadë, shpallet kampion i Kategorisë së Parë

Kategoria e Parë ka njohur sot kampionin e saj. Një javë përpara përfundimit të kampionatit, Elbasani është shpallur matematikisht kampion i nivelit të dytë të futbollit shqiptar. Verdheblutë shfrytëzuan barazimin pa gola të Bylisit kundër Vorës, duke siguruar kështu shkëputjen në krye të tabelës së renditjes.

Ekipi i drejtuar nga Nevil Dede e ka festuar me goleadë titullin kampion në Kategorinë e Parë. Elbasani ka mposhtur me shifrat e thella 5-0 Tomorin, i cili gjendet në vendin e fundit të renditjes. Në ndeshjen e fundit, Elbasani do të përballet me Bylisin, i cili deri ditën e sotme ishte kundërshtar i drejtpërdrejtë për vendin e parë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/