E konfirmon trajneri Gjoni: Firmoset marrëveshja me kompaninë sponsorizuese zvicerane. Në garë si më të fortët!
Fatmir Efica
Ashtu siç ishte deklaruar pak kohë më parë, Egnatia, më në fund ka arritur të firmosë marrëveshjen me një kompani zvicerane që operon në Rrogozhinë dhe që në platformën e saj do të ketë në mbikëqyrje edhe ekipin e futbollit. Trajneri i rrogozhinasve, e konfirmoi lajmin dhe dje Vladimir Gjoni, u shpreh i lumtur për këtë marrëveshje. Kujtojmë që gazeta jonë e ka zbardhur e para afrimin e sponsorëve nga Zvicra në radhët e rrogozhinasve. Posaçërisht për “Sport Ekspres”, krahas konfirmimit të lajmit, trajneri Gjoni, flet për një skuadër ndryshe në sezonin e ardhshëm, aq më tepër me një mbështetje shumë më të madhe financiare. Por, nuk harron që të bëj edhe një analizë rreh ndarjes së grupeve në të parën.
SPONSORI – “Meritojnë një falënderim special Bashkia Rrogozhinë dhe kryetari i saj z. Beqir Nuredini, pa harruar edhe sekretarin e Egnatias, Petrit Hazbiu, – u shpreh trajneri Vladimir Gjoni fillimisht, i cili më pas shton: “Tani, futbolli në këtë qytet ka marrë një garanci vërtetë të rëndësishme në lidhje me mbarëvajtjen e punëve për sezonin e ri. Bashkëpunimin me këtë kompani, e quaj një hap vërtetë special duke çmuar dobinë e madhe që sjell për futbollin rrogozhinas”.
SKUADRA – “Shpejt do të nisim nga puna dhe projekti ynë fillestar, është ndërtimi i një ekipi kompetitiv. Do të na shoqërojë ai motivim e ajo këmbëngulje që patëm në sezonin e fundit, ku u shpallëm kampionë të Kategorisë së Dytë. Nuk do ta ndjejmë aspak ndrojtjen se dikush mund të na konsideroje skuadër të “vogël”. Që tani them se po ecim në drejtimin e duhur për të stabilizuar disa hallka të rëndësishme që janë financimi i sigurt. Ndërsa pjesa sportive do të përballohet me impenjim serioz duke iu përveshur punës si nga ana e lojtarëve, ashtu dhe drejtuesve të stafit, me karakter të fortë e pasion shembullor”.
GRUPI DHE SKEMA – “Ndihem i lumtur që Egnatia bën pjesë në grupin A. I njoh mirë të gjitha skuadrat. I çmoj mjaft skuadrat si: Besa e Kavajës me shumë tradita, “komshia” ynë i parë, Besëlidhjen, Kastriotin, Erzenin e pa diskutim Burrelin, ish-skuadrën që kam luajtur dhe e kam drejtuar pak kohë më parë. Kampionatin e ri e quaj paraprakisht mjaft të bukur dhe interesant e me një garë shumë të fortë. Egnatian momentalisht dua të quaj “të barabartë mes të barabartësh”. Ne do të futemi në garë me synime konkrete. Jam plotësisht dakord me skemën që u ndoq në fazën e tretë të kampionatit të kaluar në Kategorinë e Parë. Kjo skemë shpresoj se do të aplikohet dhe në sezonin e ri. Kam bindjen se heq çdo lloj dyshimi për kompromise dhe nuk krijon diferenca të mëdha në pikëzim dhe krijon rivalitet të madh deri në fund mes skuadrave. Edhe rritja nga 3 në 4 e numrit të skualifikimit të lojtarëve nga kartonët e verdhë jep më shumë mundësi futbollistëve për të mos qëndruar në mënyrë të pavullnetshme pushim nga dënimet e kualifikimet”, – tha mes të tjerash trajneri rrogozhinas, Vladimir Gjoni.