Edgar Çani kthehet zyrtarisht në Itali, për të vazhduar karrierën. Ishte pikërisht kjo arsyeja që e bindi të prishte para kohe kontratën me Partizanin, duke përfituar vetëm dy rroga e gjysmë dëmshpërblim (50 mijë euro).
Sulmuesi firmosi me Vibonezen, klub që militon në Serinë C, kategoria e tretë italiane. Ashtu si “Sport Ekspres” kishte paralajmëruar, 29-vjeçari kishte arritur akordin për gjithçka dhe mbetej vetëm të formalizohej marrëveshja.
Afrimi i Edgar Çanit ishte një premtim, që klubi u’a kishte bërë tifozëve. “Vendosem në dispozicion të stafit dhe ekipit me dëshirën për të bërë sa më mirë dhe me motivimin e duhur”, tha sulmuesi gjatë prezantimit. “Kategoria e tretë është një kampionati mjaft i vështirë dhe plot të papritura dhe për këtë duhet ta nisim me këmbën e mbarë”.
Çani i ka të qarta pritshmëritë. “E nis këtë aventurë të re me vendosmëri të madhe. Në Shqipëri jam stërvitur dhe jam gati për lojë”, tha ish-lojtari i Partizanit, i cili shtoi: “E kam të qartë atë që tifozët e Vibonezes presin prej meje. Ne në fushë duhet të japim maksimumin dhe tifozët nga tribunat të na ndihmojnë”.