Sokol Cikalleshi është bërë me klub të ri, pasi ka firmosur për Osmanlisporin.
Pikërisht në ditën kur Kristian Panuçi e përjashtoi, të paktën për dy ndeshjet e radhës, nga kombëtarja shqiptare, sulmuesi kuqezi prezantohet në Ankara.
Cikalleshi i kishte kërkuar një ditë leje Panuçit, pikërisht për shkak se duhej të prezantohej sot, por trajneri italian nuk ka pranuar, duke e quajtur thyerje disipline.
Këtë verë Cikalleshi u kthye te Bashakshehiri, pasi ishte në huazim tek Akisari, që nuk pati forcë ekonomike ta blinte.
Ndonëse luajti në kampionat, Cikalleshi e kishte të qartë se konkurrenca te Bashakshehir e dëmtonte, ndaj dëshironte patjetër një skuadër që i garantonte vendin në formacion.
Osmanlispori u rendit në vendin e 13-të sezonin e shkuar dhe e ka nisur keq sezonin e ri, me një pikë në 3 ndeshje, ndërsa gjithë sulmuesit kishin shënuar vetëm një gol deri tani, kështu që Cikalleshi pritet të jetë pikë referimi.