Llapi ka ndryshuar trajner. Një ditë më parë klubi nga Podujeva ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me Bekim Shotanin, i cili kishte zëvendësuar më parë Bylbyl Sokolin. Në njoftimin e bërë nga klubi i IPKO Superliga e Kosovës, thuhet se Shotanit i ka përfunduar kontrata.
E çuditshme në fakt, kur sot Llapi ka njoftuar edhe për prezantimin e trajnerit të ri. Xhengiz Rexhepi ka dalë para mediave dhe ka thënë fjalët e tij të para për detyrën e marrë. Momentalisht ai është pjesë e stafit teknik të Maqedonisë si zëvendëstrajner dhe do vijojë ta mbajë këtë post.
Rexhepi do të sfidojë kështu Prishtinën dhe Feronikelin, që janë mbi Llapin në klasifikim. Skuadra kryeqytetase ka pesë pikë më shumë dhe duke parë se është luajtur gjysma e parë e sezonit, gjithccka mbetet e hapur për titullin kampion.
NJOFTIMI I LLAPIT – Pas marrëveshjes së shkëputur me mirëkuptim me kryetrajnerin e deritanishëm, Bekim Shotani, Llapi ka arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur nga Maqedonia, Xhengis Rexhepi i cili do ta drejtoj Llapin në pranverë.
Xhengis Rexhepi, 36 vjeç, i lindur më 08.07.1982 në Tetovë të Maqedonisë është trajner i licencuar me ‘UEFA A Pro Licence’. Para se të emërohej kryetrajner i Llapit, Rexhepi ishte ndihmës trajner tek skuadra e Sivassporit në Turqi, ndërsa mban postin po ashtu të ndihmës selektorit në Përfaqësueses së Maqedonisë.
Rexhepi premtoi punë profesionale, disiplinë dhe përkushtim për të arritur objektivat të cilat i ka Llapi dhe tha se ndihet i nderuar që do mbaj postin e kryetrajnerit të një klubi të madh siç është Llapi. Po ashtu ai kërkoi përkrahje maksimale nga simpatizuesit e klubit në të gjitha ndeshjet që rruga drejt titullit kampion të jetë më e lehtë dhe e arritshme.