Zyrtare, Alla kthehet te Kukësi

I qeshur sikur të mos ishte larguar kurrë dhe të mos kishte pasur asnjë problem me Kukësin, Albi Alla është prezantuar sot si futbollist i klubit kampion.

Qëndroi dy muaj në Greqi, gjeti marrëveshjen me Larisën, thuajse firmosi, por pastaj doli në dritë kontrata me Kukësin, që e detyronte të luante në kupat e Europës.

Gjyqi në FIFA do të ishte një humbje e frikshme kohe dhe parash për të gjithë, ndaj Alla ka panuar të kthehet, por me kushtet e tij.

Një sezon kontratë, dyfishim page nga 2500 në 5000 euro, asnjë klauzolë “sekrete” në kontratë dhe… të gjithë të lumtur.

Mbrojtësi 24-vjeçar ka nënshkruar marrëveshjen e re ditën e sotme në zyrat e klubit dhe do të niset drejt Ohrit për të zhvilluar fazën përgatitore.

Mbrojtësi ka folur për faqen e klubit në lidhje me marrëveshjen e re: “Më vjen mirë që gjeta gjuhën e përbashkët me klubin. Të gjitha mosmarrëveshjet që kishim i sqaruam dhe tashmë jam i kënaqur që rikthehem përsëri. Presidenti Safet Gjici u tregua mjaft dashamirës dhe më duhet ta falenderoj, ashtu si të gjithë të tjerët në klub. Jam në një ambient që e njoh mirë dhe do të jap maksimumin tim. E di se çfarë objektivash ka klubi dhe dua të mbroj titullin kampion me Kukësin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *