Zyrtare, Abazaj te Skënderbeu prej qershorit

Goditje e bujshme e Skënderbeut: klubi korçar ka blerë nga Luftëtari Kristal Abazajn, duke siguruar shërbimet e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Lajmi ishte në ajër prej kohësh dhe ditët e fundit presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj ka pasur bisedime të vazhdueshme me presidentin e Luftëtarit Grigor Tavo.

Pas marrëveshjes së arritur mes dy drejtuesve kryesorë të dy klubeve, është arritur edhe marrëveshja mes Skënderbeut e vetë Abazajt, por sulmuesi i Shqipërisë U-21 nuk do të shkojë në Korçë që tani, sepse do ta mbyllë sezonin në Gjirokastër dhe më pas në verë do të jetë në dispozicion të Skënderbeut.

Për Vipsport.al Abazaj deklaron: “Po, jam një futbollist i Skënderbeut. Kemi mbyllur gjithçka dhe bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare. Di që Skënderbeu ka paguar një shumë të mirë për mua, por nuk di shifrat e sakta. Klubet kanë rënë dakord që unë të vazhdoj të luaj për Luftëtarin deri në fund të sezonit, meqenëse ky ekip ka nevojë. Por pagesa ime do të bëhet nga Skënderbeu”.

“Skënderbeu luan rregullisht në Europë dhe është një vitrinë e mirë për çdo lojtar, që duke luajtur në kompeticionet europiane, mund të vëzhgohet nga skuadrat e huaja dhe më pas të luajë në skuadra më të mira. Jam i lumtur për këtë vendim dhe jam i bindur se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Kam kaluar në një ekip vërtet europian. Tani dua të ndihmoj Luftëtarin për pjesën e mbetur të sezonit”.

Abazaj shkëlqeu tek Elbasani dy sezone më parë, kur shënoi 7 gola në 13 ndeshje në Kategorinë e Parë, duke kaluar më pas tek Luftëtari, ku ka shpërthyer përfundimisht edhe në Superiore, me 8 gola dhe shumë asiste në 49 ndeshje kampionati deri tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *