Në kampin e Ajaksit ndihen krenar për atë që kanë bërë këtë sezon, por dhimbja dhe zhgënjimi i eliminimit të mbrëmjes së kaluar nuk janë shuar akoma.
“Harkëtarët” ishin pak sekonda larg arritjes në finalen e Champions Ligës, por braziliani Lukas Moura ua shkatërroi të gjithë ëndrrat. Një goditje e madhe të pësosh gol në minutën e pestë shtesë, pikërisht në momentin kur po niste festa.
Xhoel Veltman dhe Hakim Zijesh nuk e fshehin trishtimin e madh. Mbrojtësi nuk u aktivizua si titullar dhe zbriti në fushë në vend të Shones pas barazimit të Totenhemit.
“Me shumë mundësi nuk do e kemi më shansin për të luajtur në finalen e Champions Ligës, edhe pse e uroj një gjë të tillë për lojtarët që kanë karrierën para. Është shumë i vështirë për t’u pranuar ky rezultat. Kisha ndjesinë që Totenhemi nuk do arrinte ta shënonte atë gol. Sinqerisht mendova se do të zëvendësoja Mazrauin. Komplimente për të, pasi kishte mbajtur Ramazan”, thekson mbrojtësi 27-vjeçari.
Më keq ndihet Hakim Zijesh. Marokeni shënoi një gol të bukur pjesën e parë, ndërsa topi nuk iu bind më në të dytën. Një shtyllë e goditur dhe disa raste të humbura që do të mbyllnin ndeshjen, por për fat të keq Ajaksi nuk shënoi më.
“Duhet të kisha shënuar më shumë. Godita shtyllën, por pata edhe raste të tjera. Pësuam një goditje të rëndë dhe kjo humbje nuk durohet dot. Nuk po luanim shumë mirë, por kishim mundësi për të shënuar dhe luftuam fort. Ishte shumë e dhimbshme të pësoje atë gol në fund”, përfundon lojtari ofensiv i Ajaksit.