Trajneri i Real Madridit, Zinedin Zidan, tsahmë po i humbet të gjitha, edhe tifozët, që e fishkëllyen gjatë kur zëvendësoi Iskon. Francezi duket se nuk e ka idenë si ta nxjerrë nga kriza Realin dhe tashmë e pranon se është një moment kritik.
Eliminimi: “Ishte një mbrëmje mjaft e vështirë. Jam përgjegjësi kryesor dhe jam i tërbuar me veten. Kjo situatë duhet analizuar, nuk bëmë asgjë për të ndryshuar gjërat. Kundërshtari luajti ndeshjen e vet, ne jo. Ishte një katastrofë”.
Dështimi: “Për mua po, ishte një dështim, nuk ka dyshim. Megjithatë, duhet të shohim përpara, nuk rregullojmë dot asgjë, kupa iku”.
Formacioni: “Nuk ka asnjë problem formacioni. Kemi skuadër shumë cilësore, disa lojtarë kanë nevojë për pushim dhe disa të tjerë kanë shansin të luajnë në ndeshje të tilla. Nuk mund të thuhet që ekipi që luajti ndaj Leganesit nuk ishte cilësor”.
Fajtori: “Fajin e kemi ne. Nuk është e mundur të eliminohesh pas rezultatit të vajtjes. Është shumë zhgënjyese, natë e vështirë dhe situata duhet mbajtur nën kontroll”.
E ardhmja: “Na takon ne ta ndryshojmë, tani nis pjesa më e vështirë, sepse zhgënjimi është i madh. Më i zhgënjyeri jam unë, sepse unë kam përgjegjësinë kryesore. Duhet të mendoj për gjërat që nuk po i bëjmë mirë. Mbetet shumë punë për të bërë dhe nesër duhet nisur sërish puna”.
Pushimi nga puna: “Është shumë e qartë, kundër PSG-së luaj stolin. Jam trajneri, më takon mua përgjegjësia nëse eliminohemi edhe në Champions. Dështuam në kupë, jemi shumë keq në kampionat, është e qartë që nuk kemi më hapësirë gabimi”.