Ferid Borshi u nderua nga FSHF me një pllakë nderi në mbrëmjen gala të fundvitit. Ish-lojtari i njohur i Vllaznisë, i cili ka arritur të fitojë dhe titullin kampion me kuqeblutë, aktualisht është pjesë e Akademisë shkodrane, ku jep kontributin e tij për moshat e Vllaznisë.
Në një prononcim për “TV1 Channel”, ai flet për nderimin që i është bërë, por edhe për gjendjen e Vllaznisë. Borshi veçon se asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se skuadra e tij e zemrës do të luante në një inferiore.
ÇMIMI – “Ndihem shumë i nderuar dhe i respektuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit që kam marrë këtë titull I takoj një brezi që dha shumë për futbollin shkodran, por sigurisht që mori shumë pak, pasi të atilla ishin dhe kushtet ku luanim futboll. Morëm 5 trofe, duke qenë një brez i artë i futbollit shkodran. Këtë çmim karriere unë nuk e mora vetëm si lojtar, por edhe si trajner. Pasioni im për futbollin është vërtetë i madh. E fillova futbollin që fëmijë dhe e vijoj deri ditët e sotme, ku punoj pranë Akademisë. Duhet thënë që kam pasur disa breza futbollistësh gjatë periudhës që unë jam trajner dhe disa prej tyre janë edhe sot të suksesshëm, ku mund të përmend emra si Salihi, Lika etj, të cilët po ashtu dhanë shumë për futbollin”.
VLLAZNIA- “Sigurisht që është një fatkeqësi e madhe që Vllaznia ndodhet në këto pozita. Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë që Vllaznia do të binte një kategori më poshtë, por ky është futbolli dhe nëse nuk investon do të kesh këto rezultate. Besoj se është diçka e përkohshme, pasi Vllaznia është në vendin e parë dhe besoj se edicionin ardhshëm do të jetë një kategori më lart”.
LOJTARI I VITIT – Lojtari i cili po spikat këtë edicion në Shkodër është braziliani Silvio Rodrigez Pereira Zhunjor. Sulmuesi ka realizuar 6 gola në 14 javë dhe është një prej lojtarëve kyç të formacionit të Hasan Likës. Kuqeblutë e kanë shpallur 24-vjeçarin si lojtarin vitit, duke i dhënë një certifikatë mirënjohje. Vetë lojtari e ka postuar këtë çmim simbolik në profilin e tij në Instagram.