Zhufo dhe Useini, dy “xholat” e trajnerit Duro

Dy mesfushorët e ardhur nga kampionati maqedonas pritet të ketë një rol vendimtar në Flamurtarin e ndërtuar nga trajneri kryeqytetas

Elton Nika

Ndoshta mund të ketë edhe skeptikë për lojtarët e ardhur te Flamurtari, formacioni i të cilit gati është bërë nga e para. Por trajneri Shpëtim Duro është i bindur për kualitetin e tyre që ka sjellë në Vlorë, sepse i njeh mirë. Disa i ka stërvitur, kur ka punuar në Maqedoni, ndërkohë që të tjerë janë të njohur në kampionatin shqiptar. Edhe drejtuesit e klubit vlonjat janë të bindur se ekipi i sezonit të ri do të ketë rezultate më të larta, duke u ngjitur në vendin që i takon.

ZHUFO-USEINI – Viktor Zhufo dhe Muhamed Useini janë dy nga të përzgjedhurit e trajnerit Duro për forcimin e mesfushës së Flamurtarit. Me të dy ka punuar nga kampionatin maqedonas dhe beson shumë se do të japin një kontribut të madh në Vlorë.  Braziliani i ardhur nga Shkëndija e Tetovës dhe mesfushori i ardhur nga Renova, por që edhe ai më parë ka qenë pjesë e Shkëndijës, cilësohen dy nga pikat kyçe të Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Jo më kot trajneri Shpëtim Duro i kërkoi me ngulm dhe arriti t’i bënte pjesë të skuadrës së tij. Janë të dy lojtarë me përvojë të madhe, kështu që mendohet që Flamurtari të ketë ekuilibrin e duhur në mesfushë. Bashkë me ta në këtë repart pritet të aktivizohen Siljanovski dhe Hyseni. Useini sezonin e kaluar arriti të realizonte dy gola me skuadrën e Renovës, ndërkohë që ka pasur një aktivizim të rregullt prej 29 takimesh. Pa frikë mund ta konsiderojmë zëvendësuesin ideal të Telushit, madje edhe në miqësore ai ka shënuar dy gola për Flamurtarin. Braziliani Zhufo realizoi tre gola me skuadrën e Shkëndijës së Tetovës, por ka pasur më pak aktivizime se kolegu i tij shqiptaro-maqedonas. Megjithatë, edhe ai ka një potencial të madh, është një goditës mjaft i mirë i portës, që do të thotë se bashkë me Useinin do të kemi mundësi t’i shohim edhe si goleadorë.

ZGJEDHJET – Sezonin e kaluar Telushi, Zeqiri dhe Shkodra ishin pikat kyçe të Flamurtarit dhe pas largimit të tyre trajneri Duro i ka gjetur zëvendësuesit. Do t’u besohet dy lojtarëve me shumë eksperiencë në kampionatin e vendit fqinj, nga të cilët trajneri Duro ka mbetur mjaft i kënaqur, por edhe nga forma e Hysenit dhe Siljanovskit. Mbrojtja dhe sulmi tashmë janë dy reparte të  konsoliduar për trajnerin Duro. Zgjedhjet më të vështira ai i ka në mesfushë, sepse ka luksin të ketë shumë lojtarë të gatshëm. Trajneri ka mundësinë të zgjedhë më të mirët, ndërkohë që konkurrenca dihet se i bën mirë çdo ekipi. Zhufo dhe Useini konsiderohen titullarë të padiskutueshëm për Flamurtarin, madje pa frikë edhe liderë të këtij ekipi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *