Zhoao Mario është praktikisht një ish-futbollist i Interit. Mesfushori portugez është jashtë planeve të Luçiano Spaletit dhe nuk e duan më as tifozët, ndaj eksperienca e tij milaneze është praktikisht e mbyllur dhe dëshiron të largohet sa më shpejt, për të luajtur rregullisht gjetkë, në sezonin para Kupës së Botës, ku shpreson të shkojë me Portugalinë.
Megjithatë, Zhoao Mario largohet vetëm sipas kushteve të tij. Sipas gazetës portugeze Record, mesfushori ka refuzuar Uest Hemin, që e kërkonte në huazim dhe kishte dërguar trajnerin Dejvid Mojes në San Siro mbrëmë. Më parë Zhoao Mario ka refuzuar edhe Seviljen, Atletiko Madridin, Evertonin dhe Uotfordin, për arsye të ndryshme. Tashmë agjenti i tij Kia Zhorabçian ka edhe pak ditë kohë për t’i gjetur një sistemim dhe për t’i hequr një barrë të rëndë edhe Interit.