Mbrojtësi pogradecar e sheh me shumë optimizëm të ardhmen e ekipit. Lojtari nga Liberia, Abu Kamara, mbyll merkaton e gjirokastritëve
Gëzim Beqiri
Mbrojtësi pogradecar, Vangjel Zguro, i cili iu bashkua ekipit në janar të këtij viti, ka sqaruar lëvizjet e tij të fundit dhe rikthimin në Gjirokastër. Për “Sport Ekspres” ai u shpreh: ”Me përfundimin e kampionatit, u largova për në SHBA për arsye familjare, por me mendimin se, pasi të mbyllja disa çështje dokumentesh, të rikthehesha në vendlindje. Për sa është shkruar se do të kaloja në skuadra të tjera dua të sqaroj se ishte dëshirë e këtyre skuadrave, por do të pranoja të luaja për to, nëse nuk do të arrija marrëveshjen me Luftëtarin. Tani jam pjesë e kësaj skuadre dhe po mundohem të arrij formën më të mirë sportive edhe me ndihmën e përgatitësit atletik. Mendoj se jam në gjendje ta justifikoj besimin e stafit teknik, duke dhënë kontributin tim maksimal në skuadër. Luftëtari do të jetë më ambicioz në këtë kampionat dhe këtë e bazoj te fakti se është nga ekipet e vetme, që ka bërë më pak lëvizje futbollistësh nga kampionati i mëparshëm. Është po ai grup lojtarësh, që jo vetëm e klasifikuan skuadrën në vend të katërt, por që zhvilluan edhe ndeshje shumë të bukura. Me gjithë penalizimet nga gjykimet, nuk u ndjemë në asnjë rast të rrezikuar për të rënë nga Superliga, përkundrazi duhej të përfaqësoheshim në Kupat e Europës. Jo vetëm është mbajtur grupi i futbollistëve dhe kjo ka shumë anë të mira, por edhe afrimet në merkaton e tanishme janë shumë më cilësore. Përveç të ardhurve nga jashtë vendit, janë edhe shumë futbollistë të rinj vendas, të cilët do ta bëjnë Luftëtarin skuadër më premtuese nga një vit më parë”. Futbollisti pogradecar i Luftëtarit është titullar në krahun e majtë të mbrojtjes.
Lista e federimit parashikon 25 futbollistë, por disa prej lojtarëve të rinj të ekipit gjirokastrite do të huazohen në ekipe të tjera, praktikë që u ndoq edhe një vit më parë. Për këta të rinj do të vendoset pas një testimi tjetër, që do të zhvillohet sot pasdite me Tomorin.
KAMARA – Luftëtarit ndërkohë i është bashkuar zyrtarisht edhe futbollisti nga Liberia, Abu Kamara, që ka dalë në stërvitje. Ai është edhe afrimi që ka mbyllur merkaton e tanishme. Kur ekipi ishte në Greqi, Kamara mberi në Gjirokastër dhe u duk se doli jashtë planeve të stafit teknik, por tani ai është në urdhrat e trajnerit Fernandes. Vjen te Luftëtari nga kampionati kosovar, konkretisht nga Ferronikeli, dhe luan në pozicionin e sulmuesit. Me Luftëtarin janë bashkuar gjatë merkatos së verës edhe disa lojtarë të tjerë të huaj.
Afrimet e Luftëtarit
Fabrizio Nunes
Fakundo Nasif
Bruno Toledo
Valdio Zeqaj
Abu Kamara