Albian Ajeti nuk është penduar aspak që ka zgjedhur Zvicrën, edhe pse Arlindi, vëllai i tij, përfaqëson ngjyrat kuqezi të Shqipërie. Në një intervistë të gjatë për “Blick.ch” ai ka folur pa rezerva. “Është shtëpia e familjes sime, por megjithatë vendosa të luaj për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë. Ishte e drejtë që zgjodha Zvicrën”, është shprehur sulmuesi i Bazelit, që flet më tej edhe për vëllezërit e tij.
“Unë kam një vëlla binjak, Adonisin. Ai po luan me Kiason tani. Fati i tij erdhi tek unë. U dëmtua dhe ka luftuar shumë për t’u kthyer në futboll. Vëllai im më i madh është Arlindi, i cili u kthye nga Italia dhe tani luan për Grasshopers. Kemi kontakte të përditshme. Vëllezërit janë shumë të rëndësishëm për mua”, shton Ajeti, që qëndron ende te tema e familjes..
“Nëna do të thotë gjithçka për mua! Nuk ka ditë, që nuk flasim. Edhe babai e ka të njëjtin status, si nëna ime. Ai, gjithashtu, do të thotë gjithçka për mua. Babai është kontakti im i parë. Ai është si një mik, edhe pse është shpesh kritiku im i parë”, thotë sulmuesi, i cili më tej tregon se i pëlqen çdo gjë që i gatuan e ëma.
Eliminimi nga Champions e ka mërzitur sulmuesin: “Shumë keq që nuk mundëm të vijojmë më tej në Ligën e Kampionëve. Kjo do të ishte një përvojë e këndshme për mua si lojtar i ri. Do ta provojmë përsëri, edicionin e ardhshëm. Te FCB provova tre tituj kampioni. Fitorja më e rëndësishme ishte në Lisbonë, një vit më parë, kur u kualifikuam për në raundin me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve”.
GOLAT DHE E ARDHMJA – “Jam krenar që kam shënuar më shumë gola sezonin e kaluar. Personalisht, këtë e konsideroj arritje shumë të mirë. Shokët e skuadrës më ndihmuan kur panë se mund të bëhesha golashënuesi më i mirë. E ardhmja? Kam plane të mëdha, i kam vendosur vetes qëllime shumë të larta. Për momentin jam i përqendruar te Bazeli. Por, qartësisht, klubet e njohura jashtë Zvicrës mbeten qëllimi im afatgjatë”.
Albiani flet edhe për jetën sentimentale. “Për momentin, jo. Nuk jam i dashuruar. Ndoshta do të ketë diçka për Krishtlindje, ose vitin e ardhshëm. Është në dorën time”, thotë me humor futbollisti i Bazelit. Më tej ai thekson se u gëzohet parave, por nuk janë gjëja më e rëndësishme.
Momentalisht po përgatitet të pushojë në Dubai, ndërkohë që tregon edhe hobin e tij: “Të dal me familjen, të bëj diçka me miqtë. Në këtë moment, për shembull, kam për të vizituar tregun e Krishtlindjeve”. Rrjetet sociale zor të shmangen: “Instagrami është një çështje e vogël. Unë informohem aty se çfarë ndodh brenda dhe jashtë, por jo aq shpesh, sa më parë”.