“Zemrat në Tiranë, por zërat në ‘Olimpiko’“/ Roma hap dyert e stadiumit për finalen e Ligës së Konferencës, nxjerr në shitje biletat

“Air Albania“ do të mirëpresë finalen e parë të Ligës së Konferencës më 25 maj. Roma dhe Fejnordi do të mbërrijnë në Tiranë për të sfiduar njëra-tjetrën për trofeun e këtij kompeticioni, ndërsa bashkë me to pritet të zbarkojnë në vendin tonë me mijëra tifozë të të dyja skuadrave.

Por sheshet e Tiranës dhe “Air Albania“ nuk do të jenë të vetmet vende ku do të grumbullohen tifozët e Romës. Klubi italian ka njoftuar mbështetësit e vetë se do të hapë dyert e “Olimpikos”, në mënyrë që të kenë mundësinë të ndjekin finalen e Ligës së Konferencës. Nga dita e djeshme, Roma ka nxjerrë në shitje edhe biletat për të ndjekur ndeshjen në “Olimpiko”.

“Zemrat tona do të jenë në Tiranë, zërat tanë do të jenë në “Olimpiko”. Mbrëmjen e 25 majit, familja romake do të mblidhet sërish në shtëpinë tonë për të brohoritur skuadrën. Po, ne e dimë… do të dëshironim të kishim qenë të gjithë atje në Tiranë. Për të qenë atje, në finalen e Ligës së Konferencës kundër Fejnordit, do të kishim bërë pothuajse gjithçka. Për të brohoritur në krahë dhe për t’i bërë ata të ndjejnë mbështetjen tonë.

Por Roma është kudo, dhe Roma është mbi të gjitha aty ku është populli romak. Prandaj, më 25 maj, ne do të bëjmë tifo për ekipin tonë në stadiumin “Olimpiko”, sikur të ishin sërish aty para syve tanë. Një pjesë e të ardhurave nga shitja e biletave do të kontribuojnë në projektin e ri të klubit “Të tejkalojmë pengesat” për tifozët me aftësi të kufizuara”, shkruan klubi i Romës në faqen e vetë zyrtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *