Alfred Zefi ishte një nga afrimet e merkatos së verës te Kamza. Mesfushori sezonin e shkuar e mbylli si titullar, edhe pse pas një dëmtimi të pësuar nuk ishte zgjedhje e parë. Me emërimin e Julian Ahmatajt si trajner, laçiani rimori vendin e tij në qendër të mesfushës dhe kontribuoi në sigurimin e mbijetesës nga Kamza.
Mesfushori, i cili në gusht mbush 27 vjeç, e ka mbyllur përfundimisht me Kamzën dhe i ka mbetur vetëm të tërheqë lejekalimin. Kështu Zefi do të jetë lojtar i lirë dhe në pritje të ofertave.
Në të shkuarën ai ka spikatur me skuadrën e Laçit, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Për gjashtë sezone ai ka mbrojtur ngjyrat bardhezi dhe dy vite më parë u largua drejt Korabit, ku luajti rregullisht si titullar.
Asokohe pati edhe një ofertë nga Flamurtari, por zgjodhi të luante me dibranët. Zefi është një lojtar me eksperiencë në Superiore, teksa numëron 157 takime në elitën e futbollit shqiptar.