Trajneri Ze Maria pas ndeshjes së humbur me Prishtinën me rezultatin 1-3 u shpreh se skuadra e tij ka nevojë dhe për të paktën dy përforcime, një portier dhe një sulmues. Në fakt, porta nuk është në një situatë alarmuese, pasi Ilion Lika ka eksperiencë, pavarësisht moshës. Abibi mund ta mbështesë si duhet.
Nga krahu tjetër, sulmi mbetet problem te bardheblutë. Skuadra kryeqytetase nuk ka asnjë “pykë” të mirëfilltë. I vetmi “9” i pastër është Majkëll Ngo. 25-vjeçari është i dëmtuar dhe nuk po kryen stërvitje me klubin, por mbetet në terapi. Kjo do të thotë se nuk do të jetë gati për fillimin e kampionatit, pasi nuk flitet për formë maksimale.
Blazhevski e ka bërë këtë rol, por nuk është pozicioni i tij natyral. Ai është sulmues i dytë ose krahu, po ashtu Halili, i cili nuk është “9”. Në kushte të tilla, bardheblutë do ta nisin sezonin pa një sulmues të mirëfilltë.