Braziliani, ish-futbollist i Flamengos, Interit dhe kombëtares braziliane 5 herë kampione e Botës, tregon historinë e tij
Ze Maria rrëfen gjithçka! Pas disfatës historike që i zbriti bardheblutë në Kategorinë e Parë, për herë të parë në histori kryeqytetasit janë ngushëlluar nga trajneri i tyre i ri, Jose Marcelo Ferreira, i njohur nga të gjithë si Ze Maria. Braziliani, ish-futbollist i Flamengos, Interit dhe kombëtares braziliane 5 herë kampione e Botës, tregon historinë e tij në Top Channel, nga fillimet e karrierës tek Portuguesa në vitin 1991, te plotësimi i ëndrrës për të luajtur përkrah Ronaldos, Dungës, Bebetos e shumë emrave të mëdhenj të Seleçaos së viteve 90. Karriera e pasur sportive i dha Ze Marias shansin që të udhëhiqet nga Zagallo, Skolari e shumë trajnerë të tjerë të mëdhenj, nga të cilët ka mësuar jo pak. Prej muajsh ai jeton në Tiranë, së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy djemtë, ku ndihet krejtësisht në shtëpinë e tij. Në krye të bardhebluve objektivin e ka të qartë: rikthimin e skuadrës me më shumë tituj në Shqipëri në Kategorinë Superiore. Ja si e rrëfen jetën e tij, ish-lojtari i njohur tani trajneri i Tiranës.
Fëmijëria
Si u bë futbollist? Braziliani rrëfen hapat e parë të tij. “Në Brazil dhurata e parë që të japin është topi i futbollit. Kjo është absolute. Me atë jam rritur dhe ai është bërë gjëja më e rëndësishme e jetës time, por edhe e shumë brazilianëve të tjerë. Jam rritur në një lagje italiane në vitet ’60. Luanim nëpër rrugë, si gjithë fëmijët e tjerë. Unë dhe disa shokë të tjerë vendosëm që të provonim me futbollin. Shkuam te Portugesa, klubi që ishte afër shtëpisë tonë. E kujtoj si tani. Shkuam të shtunën, por klubi ishte mbyllur. Testimet ishin të martën. Isha 11 vjeç dhe ishte hera e para që vishja këpucë futbolli, ecja si një femër që vesh taka për herë të parë. Bëmë 8 km, por është sakrificë, që e bën çdo lojtar brazilian. Nga gjashtë vetë mbeta vetëm unë. Aq e dua futbollin sa luaja edhe portier kur ishte e nevojshme, shprehet në fillim braziliani.
Koha Duhet ta pranojmë se Ze Maria ka luajtur me ekipe të mëdha, por edhe me Brazilin e madh. Dashurinë për kombëtaren e nisa në vitet 80-të. Idhujt në kohën time ishin Sokrates, Ziko e me radhë, pa harruar të madhin Pele. Të gjithë donin të ishin si ata. Unë doja luaja me numrin pesë në fanellë si Falkao. E provova, por më spostuan në krahun e djathtë dhe më pas të majtë. Në Brazil, nëse do të luash me një skuadër të madhe, duhet të dish të luash me të dyja këmbët. Për kombëtaren dashuria lindi në 1982-in kur humbëm me Italinë. Në 1996-ën i thashë një miku që do të jem edhe unë në kombëtare. U tall me mua, por një vit më vonë realizova ëndrrën. Ishte Zagallo ai që më grumbulloi në kombëtare. Dhe kur shkova atje takova idhujt e mi me të cilët u bëra shok skuadra dhe që i kisha parë vetëm në televizor. Luajta me Kolumbinë dhe më pas nisi karriera ime në kombëtaren braziliane”, vazhdon Ze Maria.
Karriera
Ze Maria rrëfen se ka bërë një karrierë të shkëlqyer dhe nuk pendohet përse qëndroi në Itali. “Nuk pendohem për asgjë, sepse kam arritur maksimumin. Kam luajtur me Interin. Kam refuzuar Çelsin, Realin dhe Barcelonën. Përpara se të firmosja me Parmën më kërkuan të gjithë skuadrat e mëdha. Nuk jam penduar. Kam refuzuar Barcelonën dhe Real Madrid për Interin, ëndrra ime ishte të luaja në Itali, shprehet italo-braziliani.
Trajneri Ze Maria foli edhe për karrierën e trajnerit. “Kam pasur shumë trajnerë të mirë, nga Zagallo e me radhë. Kam pasur trajner edhe Ançelotin kur isha te Parma, që në mos është më i miri, është mes më të mirëve. Drejtoi një skuadër kampionësh, Bufon, Turam, e me radhë dhe ia doli edhe pse ishte luftë. Në një moment kishim probleme, klubi, lojtarët dhe trajneri. U ulëm folëm hapur. Nga një moment i keq, shkuam dy pikë nga kreu dhe u kualifikuam në Champions. Ançeloti është një shembull që dua ta ndjek. Unë dua të jem vetvetja. Dhe të thuash se kur luaja futboll mendoja që trajneri nuk bën asgjë ky. Nuk është ashtu, pasi ai ka të gjitha punët. Trajneri duhet të bashkojë mendjen e 18 vetëve. Trajneri vjen një orë më herët dhe largohet më vonë”, rrëfeu ai.
Shqipëria dhe kombëtarja
“Më kishin folur për Shqipërinë para Kenias, por refuzova. Më thanë që të vija këtu sërish dhe refuzova sërish këtë herë Tiranën. Më pas më erdhi oferta e radhës. Duhet të isha afër Shqipërisë. Kisha dy vite që isha larg familjes dhe i shihja dy herë në vit. Për mua rezulton një eksperiencë e jashtëzakonshme. Sa për kombëtaren mund të them se me Panuçin njihemi që kur luanim në Serinë A. Panuçi dhe kombëtarja kanë trashëguar nj grup të mirë nga De Biazi ka bërë një punë kolosale. Ky grup ka të ardhme. Jam tifoz i Shqipërisë dhe tifozi i Panuçit”, mbyll trajneri i bardhebluve rrëfimin e tij.