Në Lushnjë marrin zjarr, tani duan lojtarë të huaj

0

Koordinatori i Lushnjës, Artur Çobani: Po punojmë në merkato dhe këtë javë do të testohen 3 lojtarë që vijnë nga Suedia, nga kategoria e dytë

Arjan Likja

Më në fund, Lushnja ka marrë fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Hysen Dedja. Dhe jo një fitore dosido, por në fushën e kampionëve në fuqi të Kukësit. Pas suksesit në stadiumin “Zeqir Ymeri”, Lushnja ngjitet në kuotën e 8 pikëve, duke mbetur në vend të fundit, por tashmë më afër rivalëve të saj dhe me moral më të lartë për vazhdimin e kampionatit.

ÇOBANI – Për koordinatorin e klubit lushnjar, Artur Çobanin, fitorja në Kukës është një shtysë e fortë morale për më tej, por ende nuk ëhstë bërë asgjë. I entuziazmuar nga fitorja, drejtuesi i Lushnjës ka zbritur në dhomat e zhveshjes dhe ka takuar ekipin dhe stafin teknik. Çobani është një nga personat që ka këmbëngulur më shumë për rritjen e futbollit në Lushnjë, bashkë me kryebashkiakun Tushe. Ai ishte edhe iniciatori për ardhjen e trajnerit Dedja në stolin verdhejeshil. Dje, një ditë pas fitores së madhe në Kukës, Çobani ka folur për “Sport Ekspres”, duke thënë: “Kishim kohë që e prisnim rezultatin pozitiv, pasi trajneri Dedja, me punën e tij, ka tjetërsuar fytyrën dhe mentalitetin e ekipit. Megjithatë, janë rezultatet ato që japin vlerësimin më objektiv. Kjo fitore duhej të kishte ardhur që në ndeshjen me Flamurtarin në “Roza Haxhiu”, por edhe në fushën e Kamzës. Ia dolëm në Kukës, në një fushë shumë më të vështirë, ndaj dhe dua të përgëzoj të gjithë futbollistët që kontribuuan për këtë fitore të merituar. Natyrisht, edhe trajnerin Dedja, i cili është strategu i kësaj fitoreje. Të gjithë dhanë shpirtin në fushë, por në veçanti përgëzoj portierin Spaho, kapitenin Sefa për 2 golat e shënuar, si dhe mbrojtësin Prençi, i cili i hapi rrugën fitores”.

E ARDHMJA DHE MERKATOJA – “Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Nuk e kemi luksin t’i gëzohemi një fitoreje për vet pozitat që kemi në klasifikim. Lushnjës i duhet të marrë sa më shumë pikë që të afrohet me rivalët e mbijetesës. Deri në janar ekipi duhet të marrë patjetër pikë të tjera. Mundësitë janë dhe duhet bërë ç’është e mundur për të tjera fitore. Një nga arsyet e mungesës së rezultateve, është se merkatoja nuk ka qenë e studiuar mirë. Në janar do të bëjmë disa përforcime, për të cilat jemi duke punuar dhe së shpejti do t’i bëjmë publike. Do të vijnë në provë 3 nga lojtarë të huaj. Vijnë nga kategoria e dytë suedeze dhe do të testohen një javë nga trajneri Dedja. Të shohim. Kampionati është i gjatë dhe me këtë grup nuk mund ta realizojmë objektivin e mbijetesës. Futbollistët aktualë po japin maksimumin në fushë. Sefa, Mone, Canka apo ndonjë tjetër, që i kanë luajtur thuajse  të gjitha ndeshjet e kampionatit, po marrin një ngarkesë të jashtëzakonshme, ndërkohë që trajneri nuk ka alternativa të tjera. Kemi të dëmtuar Xhafën, Shkullakun, Korreshin dhe Branicën, që për një ekip si Lushnja janë shumë. Po të shtojmë edhe skualifikimet me kartonë, situata bëhet më e vështirë, që do të thotë se domosdoshmërish duhet të ndërhyjmë në merkato”.

SKËNDERBEU – “Kundërshtari i radhës është ekipi më në formë i kampionatit. Por jemi të dënuar të kërkojmë vetëm fitoren ndaj korçarëve. Fitorja ndaj Kukësit ka rritur ndjeshëm moralin te futbollistët. Gjendja psikologjike dhe fakti që luajmë në fushën tonë janë avantazhe, që duhet t’i shfrytëzojmë. E mbështesim lojën te grupi dhe shpirti i lartë i garës. Nëse japim maksimumin, edhe ndaj Skënderbeut mund të marrim rezultat pozitiv”, – ka përfunduar Çobani.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.