Ze Maria i detyruar të ndryshojë, ka një dilemë të madhe

Tirana mori fitoren e parë kundër Luftëtarit dhe tashmë situata është disi më e mirë. Sigurisht triumfi me gjirokastritët ishte detyrim, por duhej shumë edhe për moralin. Tani përpara është një takim shumë i vështirë ndaj Skënderbeut në Korçë.

Ze Maria është i detyruar që për këtë ndeshje të bëjë sërish një ndryshim në mbrojtje. Kundër Luftëtarit ishte Eni Imami që u aktivizua në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që në Korçë është i detyruar të kalojë në të majtë.

Hoxhallari i pezulluar do të mungojë dhe Imami është ai që duhet ta zëvendësojë. Trajnerit brazilian i duhet të zgjedhë kush do të jetë partneri i Turtullit në qendër të mbrojtjes.

Sedat Berisha pati minuta ndaj Luftëtarit dhe është një opsion, ashtu sikurse edhe i riu Cake. Vicent Atinga duket më i penalizuari, edhe pse në tre ndeshjet e para ishte titullar. Shkak është numri i të huajve që mund të luajnë.

Kobinah, Mauexhe dhe Oduamadi ishin ata që u aktivizuan ndaj Luftëtarit. Më pas pati minuta edhe për Ngo. Në tribunë ndodheshin Sentamu dhe Atinga.

Ipari me siguri do të luajë ndaj Skënderbeut, ndaj mbetet për t’u parë se si do të rreshtohen bardheblutë. Një stres më vete për Ze Marian është edhe përcaktimi i 18 lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Korçës. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *