Ze Maria: Fitoftë më i miri, Halili nuk më shkarkon për një humbje

Trajneri i Tiranës analizon ndeshjen e sotme me Kukësin, duke i thurur elozhe kundërshtarëve, por pranon se ekipi i tij është gati për trofeun e parë sezonal

Olsi Avdiaj

Dita e madhe! Tirana dhe Kukësi luajnë finalen e parë të sezonit. Në lojë është trofeu i Superkupës së Shqipërisë. Përballë kampionët e vendit dhe fituesit e Kupës së Shqipërisë, Tirana. Para ndeshjes ai që ka folur nga bardheblutë ishte trajneri Ze Maria. Numri një i bardheblu ka analizuar gjithë sfidën me Kukësin dhe çfarë pret nga ndeshja e sotme e Superkupës.  

-Mister, është gati Tirana për sfidën e sotme?

Jemi këtu një ditë para ndeshjes. Jemi gati. Atë që duhet të bënim e kemi bërë për këtë ndeshje. Edhe pse kemi 4-5 lojtarë që kanë ardhur në ditët e fundit, pjesa tjetër është gati për këtë sfidë. Nuk është e thjeshtë, sepse luajmë kundër një skuadre që ka fituar kampionatin e kaluar. Është një skuadër e madhe, që kërkon të rikonfirmohet si ekipi më i mirë i vendit.

-Është Superkupa objektivi i parë juaji?

Të stërvitësh një ekip të madh siç është Tirana, vendosesh gjithmonë nën presion. Po t’i shtosh historinë dhe trofetë që ka fituar është diçka më shumë. Ke një presion të madh dhe për ta menaxhuar atë dhe duhet të bësh edhe më shumë. Objektivat tonë janë të njohur. Të fitojmë gjithçka që kemi gjatë rrugës, duke filluar që nga Superkupa e Shqipërisë. Përballë kemi ekipin më të mirë të vendit, ekipin që doli i pari në renditje dhe këtë ndeshje duhet ta shohim duke qenë të vendosur dhe me maksimumin tonë.   

-E njihni Kukësin dhe a i keni parë ndeshjet e vitit të kaluar në DVD?

Di diçka. Është ekip i fortë dhe konkret. Kam parë diçka nëpër DVD, e jam informuar nga klubi dhe lojtarët. Nuk mund të them se çfarë kam parë dhe çfarë kemi diskutuar dhe bërë, por do të bëjmë më të mirën, duke u përballur me Kukësin pikërisht me dëshirën dhe besimin që mund ta mundim këtë ekip. Kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme për sezonin në vazhdim.

-Dëshira mund të mjaftojë që të merret rezultat?

Jo nuk mjafton vetëm dëshira. Një skuadër duhet të ketë besim, vendosshmëri dhe kualitet për të marrë një rezultat të mirë. E përgjithshmja të jep mundësinë të fitosh, jo vetëm dëshira dhe besimi. Edhe Kukësi vjen i bindur se mund të na shkatërrojë, por ne duhet të jemi më të bindur dhe të kemi më shumë kualitet dhe qetësi. Nuk duhet të jemi të ngarkuar psikologjikisht. Luajnë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë. Për më tepër që ata janë të mërzitur me ekipin dhe ne duhet t’i kënaqim dhe t’i kthejmë në stadium. Nga sot nis sezoni ynë dhe jemi ne, që duhet të bëjmë ndryshimin e madh. Nëse do ta nisim me këmbën e duhur, tifozët do të jenë nga krahu ynë.

-Ju janë plotësuar të gjitha kërkesat e merkatos që kishit?

Lojtarët erdhën, por ata mbërritën në javën e fundit. Nuk kam shumë që i njoh dhe për të punuar kam pasur pak kohë. Flas për ata që do të luajnë dhe ata që mund të qëndrojnë në pankinë. Kam pasur shumë pak kohë për të parë dhe ata për të treguar veten e tyre. Merkatoja ishte normale. Shoqëria më dha më të mirën e mundshme në këtë moment dhe me kushtet e klubit. Kanë ardhur lojtarë të mirë si Mauexhe. Binguila do të vijë së shpejti. Për ndeshjen e parë të kampionatit do ta kemi ekipin e plotë dhe djemtë do ta njohin njëri-tjetrin. Ne stërvitemi për të fituar, por e përsëris luajmë kundër më të mirëve. Na takon ne që të tregojmë se zbritja e Tiranës në Kategorinë e Parë ishte gabim. Do të kthehemi në Superligë sa më shpejt. Flas me ju dhe shoh kampionët e vitit 2004-2005. Objektivi i parë i trajnerit është kthimi tek fitorja dhe më pas të rritemi edhe më shumë. Nesër (sot) është objektivi i parë i sezonit, shumë i madh, por gjithçka e kemi në dorë. Nuk do të jetë e lehtë, pasi jemi dy skuadra në dy kategori të ndryshme. Gjithsesi, le të shohim ndeshjen dhe kush do të jetë më i forti.  

-Jeni stërvitur për penalltitë?

Të them të vërtetën, jo. Shpresoj që të mos shkojmë në këtë pikë. Jam i bindur se të dyja ekipet kanë dëshirë të fitojnë e që ndeshja të mbyllet brenda 90 minutave. Nëse shkojnë te 11-metërshat, i kemi lojtarët që mund të bëjnë diferencën në këtë situatë, por objektivi ynë është që ta mbyllim takimin brenda 90 minutave.

-Doka ka qenë me ekipin Shpresa, do të jetë në fushë?

Nëse nuk gaboj ka qenë me kombëtaren dhe është kthyer të martën. Është në grup, por nuk e di nëse do të jetë në fushë, pankinë apo jo.

– Nëse nuk fitoni Superkupën, a ndiheni nën presion dhe pankina juaj a është në mëdyshje?

Ju pëlqen fjala presion (qesh). Objektivi ynë është të fitojmë. Nëse nuk ia dalim, do të thotë se ka një përse. Sepse ka një skuadër më të fortë apo më kompetitive se ne. I tillë është futbolli. Njëra nga skuadrat duhet të fitojë. Po nëse fitojmë ne? Do të largojnë trajnerin? Nuk e besoj. Nuk mendoj që një trajner shkarkohet nga puna, vetëm nëse nuk fiton një ndeshje. Është diçka jo inteligjente, edhe pse në futboll mund të ndodhë gjithçka. Rruga dhe objektivi im janë këta. Nëse humbasim atëherë e vendos presidenti, por nuk besoj se do të arrijmë në këtë pikë.     

-Elis Bakaj ka qenë golashënuesi më i mirë i Tiranës. Tani është në radhët e Kukësit. I keni marrë masat ta bllokoni?

Unë mendoj se do të luajmë kundër një skuadre të mirë. Nuk llogaris vetëm një lojtar, por gjithë kundërshtarët. Ashtu si nuk veçoj askënd nga ekipi im, nuk mund ta bëj me kundërshtarin. Gjithmonë përballë është një grup dhe 11 lojtarë. Sulmuesi është i fundit në lojë. Janë dhjetë lojtarë të tjerë që punojnë për t’ia çuar topin atij. Ne duhet të mendojmë vetëm për gjithë Kukësin dhe jo vetëm për një lojtar, ashtu siç mendojnë ata për ne që na shohin së bashku dhe jo individualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *