Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lushnjës: Duhet të investojmë në sektorin e të rinjve. Infrastruktura e qytetit është mediokër
Arjan Likja
Futbolli lushnjar po kalon një situatë negative në të gjitha aspektet. Jo më kot specialistët e futbollit, ish-futbollistet dhe tifozët e apasionuar të këtij qyteti futbolldashës, e konsiderojnë këtë gjendje të mjerueshme. Ata nuk e pranojnë faktin që skuadra të katandiset në këtë gjendje në rikthimin e saj në Superiore. Këto 6 vitet e fundit, sipas tyre janë periudha më e errët që nga krijimi i këtij ekipi që nga viti 1930. Jo më kot tifozëria dhe të gjithë sportdashësit në qytetin myzeqar kanë zgjedhur si formë proteste ndaj keqmenaxhimt dhe shkatërrimit që po i bëhet futbollit bojkotin e ekipit të parë në shkallët e stadiumit “Roza Haxhiu”. Rezultatet e dobëta të ekipit të parë, shkatërrimi i infrastrukturës dhe terreneve sportive, si dhe shkatërrimi i sistemit të grupmoshave të Lushnjës është bërë objekt diskutimi dhe debati në Këshillin Bashkiak të Lushnjës, pasi futbolli në qytetin myzeqar sponsorizohet vetëm nga të ardhurat e taksapagueseve lushnjarë.
MBLEDHJA – Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, që është njëherazi dhe asambleja e aksionerëve të Lushnjës, disa këshilltarë kanë kërkuar transparencë dhe interpelancë nga drejtuesit e Bashkisë në lidhje me shumën financiare që ky institucion lëvron si fond vjetor për futbollin. Pikë së pari, shkak për këtë kërkesë llogarie është bërë rezultati i dobët sportiv i skuadrës. Lushnja ndodhet në vendin e fundit, me 10 pikë në 26 ndeshje, me një diferencë të madhe pikësh nga skuadrat e tjera. Lushnja është skuadra më e dobët e Superiores. Krahasuar me skuadra të renditura të fundit në sezonet e fundit, si Korabi dhe Tërbuni, Lushnja ka rezultatet më dobët.
ZAIMI – Anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve “KF Lushnja 1930” sh.a, Arben Zaimi, për gazetën “Sport Ekspres” shprehet: “Ne kemi miratuar 400 milionë lekë të vjetra për vitin 2018. Pa përfshirë sekondaret, që janë në projekt-planin financiar të vitit 2018, të hartuar dhe të miratuar, duke marrë në konsideratë dhe arritjen e rezultateve për ekipin e futbollit. 400 milionë lekë në vit, që do të thotë se japim 1 milionë e 100 mijë lekë në ditë për klubin e futbollit. Edhe një herë, pa përfshirë sekondaret. Ndërkohë, në stadiumin e Lushnjës shkojnë 40-50 veta për të ndjekur ekipin e futbollit. Është një shpenzim, që nuk justifikohet aspak”.
Prej vitesh Lushnja nuk ka një gjendje të mirë të infrastrukturës. Ajo që diskutohet pafundësisht dhe nuk po merr zgjidhje, është mungesa e terreneve stërvitore për ekipin e futbollit dhe ato të akademisë. “Ne kemi gjendjen më të dobët të infrastrukturës futbollistike, ndryshe nga të tjerët, si për shembull Fieri, që ka fusha stërvitore në kushte të mira. Fushat tona stërvitore pranë stadiumit janë të pushtuara nga balta. Ne jemi një bashki e madhe. Pothuajse të gjitha njësitë administrative kanë fusha futbolli, ku mund të investojmë. Fusha e futbollit në Plug, që i përket njësisë administrative të Golemit, ka qenë stadium. Si shumë të tjera, sot është jashtë funksionit. Pra, kemi alternativa për të investuar, për të parë më shumë, më gjerë dhe për të ndihmuar lojtarët e Akademisë”, – ka shtuar Zaimi. Ndërkaq, është kërkuar mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të “KF Lushnja 1930” sh.a. Për këtë është dorëzuar një kërkesë me shkrim e firmosur nga 4/5 e anëtarëve. “Për situatën e krijuar, kemi kërkuar interpelancë. Do të bëjmë diskutimet tona dhe do të japim propozimet tona. Synimi ynë është përmirësimi i situatës dhe futbolli të jetë më pranë qytetarëve”, – ka deklaruar Zaimi.