“Yjet” e Moxhit, koreano-jugori i vetmi futbollist i afruar

Këshilltari i presidentit Gaz Demi la sërish në “baltë” të kuqtë. Afrimi i vetëm është ai i Li Xhin Hjun

Vera e vitit 2017, “big” Luçiano Moxhi u fut në aksion te skuadra e “demave”. Presidenti Gaz Demi i besoi gjithçka dhe i dha çelësat e klubit në dorë. Italiani me eksperiencën e tij kishte për detyrë të fuste ekipin në “shina”. Buxhet kishte, kohë kishte, mundësi dhe liri në punë. Deklaratat e tij ishin fantastike për veshin. Tifozët e Partizanit dhe administrata e klubit të kuq menduan se erdhi koha për të fituar. S’kishin faj, oratori Moxhi të impononte respekt me prezencën e tij dhe me arritjet e jetës. Nuk munguan as objektivat dhe qëllimet për ta bërë Partizanin si një Juventus të vogël. Dakord me këtë ide ishin edhe mbështetësit e të kuqve që bënin tifo për Interin dhe Milanin, më në fund kishte unitet.

“Jam Këshilltar i presidentit Demi. Si i tillë, e kam këshilluar presidentin Demi, që të krijojmë një Juventus të vogël, pra atë që unë bëra në Torino, por edhe me Napolin. Një prej synimeve që do të ketë klubi Partizanit do të jetë puna në sektorin e ekipit të të rinjve. Në çdo klub ku kam punuar kam zhvilluar gjithnjë merkato, duke patur në skuadër edhe lojtarë mjaft të rëndësishëm, duhet të bazohemi tek akademia”, – shprehej Moxhi në verë për “Top Channel”.
Fjalët e tij i mori era, merkatoja ishte skandaloze, Partizani nuk i ngjau aspak Juventusit, por një tjetër ekipi në Seria A, Beneventos. Të kuqtë po shkonin drejt kolapsit, por numri një i klubit ndërhyri në kohë duke ndryshuar fytyrën e ekipit.
Janari vjen dhe sërish Moxhi futet në skenë. Italianit i besohet përsëri ndërtimi i ekipit, fundja, kampionatin e njeh, nuk e nënvlerëson më. Nevojën e Partizanit për t’u përforcuar e di, prandaj duhej të lëvizte. Fjalët ishin të njëjta si në verë me premtime pa fund. Tifozët këtë herë ishin diçka skeptikë, por në mendje vërtiteshin mendimet për afrimet e bujshme në Itali me Juventusin, por edhe me Napolin e famshëm. “Në janar do të ndërhyjmë fuqishëm në merkato. Do të marrim lojtarë kalibri dhe që do të bëjnë diferencën. Nuk do të gabojmë më. Në gjysmën e dytë të sezonit, Partizani do të ketë një fytyrë tjetër”, – shprehej ai ndër të tjera në “Rubrikën Sportive”, në “RTSH”.
Jemi në fund të merkatos së janarit dhe skenari është i njëjtë. Asnjë emër i madh nuk u afrua me të kuqtë, përkundrazi u larguan futbollistë me peshë për kampionatin shqiptar.
KOREANO-JUGORI – I vetmi lojtar që Luçiano Moxhi ka sjellë deri tani është Li Xhin Hjun. Italiani është personi që ka sjellë në klub futbollistin që po provohet nga stafi teknik. Fjalët e para janë të mira për lojtarin dhe me shumë mundësi të kuqtë do e mbajnë. Lojtari mund të jetë premtues dhe mund të dalë shumë i mirë, por me gjithë respektin për të, është larg “yjeve” që do të sillte Moxhi. Afrimet e tjera të merkatos janë kryer nga Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama. Ka qenë ai që foli me afrimet e ardhura nga Mqedonia, ndërsa Moxhi ka qëndruar më pasiv, pavarësisht premtimeve të bëra. Zotëri, me gjithë respektin për ju, në momentin që nuk mund të ndërtosh klubin, mos i del për zot kot, pasi stema e Partizanit vlen shumë më shumë se sedra juaj e lënduar. O puno, o hap krahun! Asgjë personale mik, thjesht realitetin e shkruar pa zbukurime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online