Nesër do të vendoset se kur dhe ku do të luhet ndeshja e shtyrë mes River Plejt dhe Boka Zhuniors. Finalja e kthimit e Kupës Libertadores u shty për shkak se lojtarët e skuadrës së Bokës u sulmuan nga tifozët vendas, të cilët lënduan disa lojtarë.
Në pamundësi për të pasur një skuadër të plotë, Boka kërkoi shtyrjen e ndeshjes dhe zyrtarët e CONMEBOL e miratuan kërkesën. Që pas zyrtarizimit të shtyrjes, ka pasur shumë hipoteza se ku mund të luhet kjo ndeshje, pasi nuk përjashtohet mundësia që finalja e shumëpritur të zhvendoset në një vend tjetër larg Argjentinës.
Rregullorja e parashikon se ndeshjet e shtyra mund të transferohen në ndonjë vend tjetër. Dje u mendua se mund të luhej në Abu Dabi, por sot ka një tjetër teori.
Më shumë se teori është një kërkesë e bërë nga Bashkia e Xhenoas, që u ka bërë thirrje skuadrave që të shkojnë e të luajnë në Itali. Në kërkesën që është bërë për dy presidentët, të cilët janë me origjinë italiane, kërkohet që superklasikja më e famshme në botë të zhvillohet në stadiumin “Luixhi Ferraris (Marassi)”. Duket shumë e vështirë që të ndodhë, por në Itali duket se janë gati që të presin një nga përballjet më të zjarrta.