U zhvillua sot paradite asambleja e aksionerëve të Milanit dhe ashtu si pritej, është kërkuar largimi i gjithë drejtuesve kinezë nga Këshilli Administrativ. Gjithashtu, është aprovuar edhe kërkesa për largimin e administratorit të deleguar Marko Fasone.
Përfaqësuesi i Rossoneri Sport Investment deklaroi: “Asambleja kërkon largimin e anëtarëve Yonghong Li, David Han Li, Lu Bo, Renshuo Xu e Marko Fasone nga pozicionet e administratorëve të klubit”. Fasone konsiderohet fajtor për administrimin e kontratave si dhe për administrimin e gabuar të planeve të së ardhmes dhe strukturat e merkatos kineze.
Paolo Skaroni është propozuar për postin e administratorit të deleguar të përkohshëm të klubit. Gjithashtu, Scaroni është presidenti i ri i Milanit, duke u bërë presidenti i 23-të në historinë e klubit kuqezi. Skaroni është një ndër personat më të besuar të grupit amerikan Elliott, që ka marrë pronësinë e klubit.
Pas emërimit, Skaroni tha: “Ju falënderoj të gjithëve që erdhët në këtë mëngjes të vrullshëm, është një ndër i madh për mua të jem president i Milanit. Nëse ishte nder për Kapelin, që ishte romanist, imagjinoni për mua”.