Vujoviç nuk jep garanci, Daja do sulmues urgjentisht

Trajneri i Skënderbeut mësohet se u ka kërkuar një tjetër sulmues “race” drejtuesve, pasi malazezi është jashtë forme. Tratativat janë drejt fundit

Leonard Trebicka

Goran Vujoviç, blerja e vetme për vijën e parë të sulmit, duket se nuk po e bind trajnerin e Skënderbeut, Ilir Dajën. Malazezi është bashkuar me ekipin korçar në Slloveni dhe ka luajtur në miqësoret e fundit, por është jashtë forme. Ky fakt e ka shqetësuar të parin e stolit korçar, i cili ka pasur një bisedë me presidentin Ardjan Takaj, të cilit mësohet se i ka kërkuar një sulmues “race” sa më shpejt. Për të, të paktën në këtë moment, vetëm sulmi paraqet probleme. Vujoviç erdhi me bujë te Skënderbeu dhe pritej të përshtatej shpejt me grupin, por dy ndeshjet miqësore në Slloveni ai jo vetëm që nuk shënoi, por tregoi një formë të dobët fizike. Në fakt, trajneri Daja e tha hapur se Vujoviç kishte tri javë pa stërvitje dhe kështu nuk arrin të zbatojë të gjitha detyrat e tij në fushë. Edhe dy ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e Europa League për Skënderbeun, që nuk po gjen dot sulmuesin e duhur. Trajneri Daja e ka kërkuar me urgjencë nga presidenca sulmuesin që i bën punë dhe kjo kërkesë pritet të plotësohet shumë shpejt. Por, edhe pse sulmuesi mund të vijë shpejt, nuk do të thotë se do të aktivizohet që të enjten, pasi për ndeshjen e 29 qershorit çdo gjë është e mbyllur.

MERKATO – Me kërkesën urgjente të trajnerit Daja, duket se presidenti Takaj është duke mbyllur afrimin e fundit, sulmuesin që vjen nga jashtë kufijve. Burime pranë presidencës bëjnë me dije se Takaj ka lëvizur shumë mbrëmë dhe nga 3-4 alternativat që ka Skënderbeu në tavolinë, do të vendosë për njërën. Bëhet fjalë për një sulmues të huaj, me kosto të lartë financiare, ndaj dhe vendimi nuk mund të merret kaq lehtë. Janë orët e fundit të bisedimeve për të sjellë atë që do të jetë “pyka” e sulmit për bardhekuqtë. Ka javë që drejtuesit korçarë e kanë studiuar tregun e sulmuesve dhe, duke parë që Vujoviç është jashtë forme, ndërhyrja është e nevojshme. Sot pritet që “bosi” i Skënderbeut të mbërrijë në Korçë dhe do të takohet me trajnerin Daja. Merkatoja e Skënderbeut është drejt fundit dhe nesër korçarët kanë shansin e fundit për të federuar një tjetër lojtar për ndeshjet në Europë. Me shumë mundësi, do të jetë pikërisht ai lojtar, që po kërkon trajneri Daja në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *