Teksa të gjithë janë përqendruar tek ballafaqimi me Teutën në “Loro Boriçi”, mesfushori kërkon të kalohet takimi i Kupës me Kastrioti
Gaspër Marku
Vllaznia luan sot ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës së Shqipërisë, por askush në Shkodër nuk e ka mendjen tek ballafaqimi i Krujës, pasi të gjithë janë fokusuar tek përballja e fundjavës me Teutën në “Loro Boriçi” e vlefshme për kampionat. Fitorja në transfertën e javës së parë të kampionatit ndaj Lushnjës, teksa Vllaznia është në vendet e para të renditjes, së bashku me Laçin e Skënderbeun, apo dhe Kukësin e Teutën, ka karikuar jo pak opinionin sportiv në qytetin verior. Ndaj një pjesë shumë e madhe e tyre ka filluar të marrë masat që tani për ta mbështetur skuadrën në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Por ndryshe mendojnë në kampin kuqeblu, pasi skuadra fillimisht e ka mendjen tek ndeshja e kupës, e cila luhet sot ndaj Kastriotit në transfertë. E pas këtij takimi të gjithë në Shkodër do të nisin të mendojnë për ndeshjen me Teutën për kampionat. I këtij mendimi është edhe mesfushori shkodran Erjon Vucaj, i cili kërkon që Vllaznia t’i marrë ndeshjet me radhë. “Ndeshjen e radhës e kemi me Kastriotin për Kupë. Prandaj të gjithë në skuadër jemi përqendruar tek kjo ndeshje për momentin. Për ndeshjen me Teutën do të mendojmë pas të mërkurës kur të kemi kaluar Kastriotin në ndeshjen e kupës”, shprehet Vucaj.
Post Lushnja
Duke folur për ndeshjen e parë inauguruese të kampionatit, të cilën Vllaznia e kaloi me shumë sukses, Vucaj shpjegon ishte shumë e rëndësishme që skuadra në Shkodër u kthye me tre pikë nga kjo transfertë. “Ndeshja e parë është gjithmonë më pozitive se të tjerat, por gjithsesi trepikëshi është ai që të gëzon më tepër, sepse në vazhdimësi do të ketë vlerat e tij të padiskutueshëm. Megjithatë është dhe anë e mirë psikologjike ta nisësh mbarë kampionatin. E kjo jo vetëm me tre pikë, por dhe me një lojë të mirë të paktën sipas mendimit tim”, thotë Vucaj. Në lidhje me kundërshtarin që kishin përballë në javën e parë, Vucaj thotë se ato e kishin vlerësuar këtë skuadër. “Ne jemi të mendimit se duhen vlerësuar të gjitha ekipet njësoi dhe për një gjë të tillë në ekipin tonë kemi folur vazhdimisht të gjithë si grup. Për këtë do t’i vlerësojmë të gjitha ekipet në mënyrë të barabartë, nuk do të nënvlerësojmë asnjë ekip. Thjeshtë ne do të vlerësojmë veten tonë. Mendojmë se kjo është rruga më e mirë për të mbërritur suksesin e duhur”, vijon Vucaj.
Merkato
I pyetur për merkaton, pjesë e së cilës është edhe ai, Vucaj thotë se Vllaznia ka qenë edhe më përpara e bukur, pasi realisht përballë ekipeve më të mira të kampionatit ishte e barabartë me to. “Vllaznia gjithmonë ka qenë e bukur, thjeshtë ka qenë psikologjike tek sportistët. Pasi po të shohësh dhe ndeshjet e sezonit të kaluar Vllaznia ka luajtur mirë, sidomos ndaj Skënderbeut, teksa ka qenë një ndeshje në nivel të barabartë. Madje edhe më afër fitores ka qenë Vllaznia. Po ashtu edhe me Kukësin, Partizanin, të gjitha ndeshjet i kanë nxjerrë të mira. Thjesht mendoj se ka qenë psikologjike dhe jo nivel loje në skuadër. Shpresojmë që këtë vit të vijë kthesa e mirëpritur”, tregon Vucaj, i cili së bashku me Hasanin e Likën, apo dhe Orelesin, Atsinën dhe Ribajn quhet ardhjet më të reja të Vllaznisë në merkaton verore. Duke folur konkretisht për rikthimin e tij në Shkodër, pas një pauze disavjeçare, ai thotë se e ka pritur me shumë kënaqësi këtë ardhje tek Vllaznia, që për të duket se ka qenë ëndërr. “Jo vetëm Vucaj, por çdo shkodran dhe çdo shqiptar e ka ëndërr të luaj për Vllazninë. Që të jesh pjesë e Vllaznisë nuk është gjë e vogël, është një privilegj. Me kthimin tim dhe të kolegëve të mi në përgjithësi në Shkodër normal që është një kënaqësi shumë e madhe. Por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të justifikur atë që presin tifozët prej nesh”, shprehet Vucaj.
Tifozët dhe premtimi
Edhe pse Vucaj është pjesë e shkollës së futbollit shkodran, pas kalimit në ekipet zinxhir, karrierën sportive dhe sukseset e vazhdueshme ai i ka arritur me ekipet e tjera të kampionatit shqiptar. Ndaj deri më tani për tifozët shkodranë, sa herë ai ka luajtur në “Loro Boriçi”, ka qenë kundërshtar me të. “Kundërshtar” në thonjëza, sepse tifozeria shkodrane, edhe atëherë kur ai i ka shënuar Vllaznisë, e kanë duartrokitur për stilin dhe nivelin e tij cilësor të lojës. Tashmë ka ardhur momenti që Vucaj të luajë për këto tifozë dhe për këtë ai i ndjen jo pak emocionet, por edhe karikimin që i jep prania e tyre në shkallët e stadiumit duke brohoritur Vllazninë. “Çdo ekip i ka të nevojshëm tifozët, por Vllaznia më duhet të them se i ka me të vërtetë të veçantë. Ne rikthimin te Vllaznia tashmë edhe unë do të kem kënaqësinë të shijojë brohoritjet dhe mbështetjen e tyre në shkallët e stadiumit”, thotë Vucaj. “Me këtë mbështetje, që besoj se do të jetë patjetër e madhe ndaj skuadrës tonë, e konsideroj një shtysë dhe një plus shumë të madh për ekipin tonë. Shpresoj dhe ftoj tifozët shkodranë të jenë sërishmi në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, vijon Vucaj. Vucaj nuk ka dëshirë të ndalet në premtime. “Premtime në fakt nuk kam shumë dëshirë të jap. Ne i kemi dëgjuar më parë edhe nëpër Shkodër, sepse vete shkodran jam, kur tifozët kanë kërkesa dhe pretendime nga më të ndryshme për këtë sezon futbollistik. Por ne të paktën si familje kuqeblu që jemi nuk kemi ndonjë pretendim sa i përket kupave të Evropës, kampion, apo për të shpëtuar nga kategoria. Do t’i marrim të gjitha ndeshjet me radhë duke i vlerësuar të gjitha njëlloj dhe pastaj në përfundim besojmë dhe shpresojmë se do të mbërrijmë në një pozicion që edhe publiku ka për të qenë i kënaqur”, përfundon Vucaj.