Mbetet në fije të perit Ismail Morina, i cili pret gjykimin nga Gjykata e Lartë në Kroaci, në lidhje me vendimin e përsëritur të gjykatës së Dubrovnikut për ekstradim të tij drejt Beogradit.
“Ballisti” i famshëm i dronit në Beograd ka kohë që është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Serbia, por në Kroaci u ndal në kufi së pari për mungesën e pasaportës shqiptare, që e kishte ende policia në Shqipëri, në mënyrë absurde, për një histori të para dy viteve, kur Morina u ndal për armëmbajtje pa leje, periudhë kur ruhej nga atentate të mundshme nga serbët.
Tani Morina pret me ankth verdiktin kroat, me shpresën se shteti shqiptar do ta ndihmojë, ose do të aprovohet kërkesa për azil politik në Kroaci. Kjo kërkesë është mëse logjike edhe për një fakt tjetër: një ndër kriminelët më famëkeqë në Serbi, Milorad “Legija” Ulemek, i cili në vitin 2003 vrau kryeministrin serb në atë kohë, Zoran Gjingjiç, nga burgu “Alkatraz” i Serbisë, ku janë të burgosur ai dhe kriminelët më të mëdhenj të Serbisë, ka kërcënuar se Morina nuk e ka të gjatë, nëse përfundon në të njëjtin burg me të.
Sipas gazetës serbe “Alo”, Milorad Ulemek është i izoluar në burg, ku është i dënuar me 40 vite burgim, por kontrollon shumë gjëra dhe natyrisht Morina do të rrezikonte jetën sapo të shkelte aty. Kjo është një arsye më shumë pse duhet aprovuar të paktën azili politik për të në Kroaci.