Vlora sapo humbi një “ushtar”, ja si e njoha unë!

E kam njohur Bruno Telushin shumë vjet më parë, kur Flamurtari po kryente fazën përgatitore në Turqi dhe kur pronarët e rinj turq, me në krye administratorin Idrizi, merrnin drejtimin e klubit vlonjat

Dedikim nga Anton Cicani

E njohin të gjithë për dinamizmin në fushë, për ndërhyrjet e ashpra, për shpirtin luftarak, golat e pamundur nga 30 metra me gjuajtje të cilat i japin një shpejtësi topit e cila bëhet e pamundur për t’u llogaritur, por sidomos për lidershipin që ka treguar në fushë. Jo vetëm kaq, po kur ka qenë nevoja, ka dalë përpara medieve, duke pranuar fajin, duke kërkuar falje dhe ulur kokën… Nuk e ka tërhequr mbrapsht këmbën kur ka qenë nevoja dhe s’do ta bënte as tani, por ka një familje për të mbajtur dhe një karrierë për të respektuar. Atë karrierë që e ka ngritur me forcat e tij, duke u stërvitur me përkushtim dhe qenë profesionist në çdo drejtim.

E kam njohur Bruno Telushin shumë vjet më parë, kur Flamurtari po kryente fazën përgatitore në Turqi dhe kur pronarët e rinj turq, me në krye administratorin Idrizi, merrnin drejtimin e klubit vlonjat.

“Kush është ky?! Qenka një futbollist që nuk kursehet në fushë”… Ishin fjalët e një “scout” që ndodhej në Belek, teksa Flamurtari luante ndaj Karabakut të Ansi Agollit. Trajneri i asaj skuadre ishte fituesi i titullit këtë sezon, Ernest Gjoka, teksa në fushë Bruno luante në mbrojtje, mesfushë dhe në sulm. Dhe, ç’është më e çuditshmja, vetëm atij i bërtiste profesor Nesti…

Nuk e kisha parë kurrë me vëmendje, por gjatë fazës përgatitore prej 13 ditësh, arrita të njoh Brunon dhe të kuptoj pse e quan veten “ushtar”…

E pra, Bruno Telushi flinte në orar, zgjohej në orar, vinte në stërvitje në orar, konsumonte vaktet që i këshilloheshin, por sidomos nuk kishte vese. Bruno, në kohën e lirë, teksa të tjerët qëndronin në pishinë dhe sauna, ishte në palestër, duke vazhduar të fuqizonte muskulaturën dhe për asnjë moment nuk ankohej…

A po, e bëri njëherë këtë gjë në autobus, por sepse në Vlorë, një televizion lokal kishte nxjerrë një lajm se në Turqi, Flamurtari kishte shkuar për plazh dhe relaks, pas disa fotove të publikuara nga disa lojtarë mes pishinës, pijeve analkoolike dhe ndonjë buzëqeshje të tepërt.

“Nuk më intereson ato që thonë, sepse në Vlorë kështu funksionon gjithmonë, por s’ka shans të më vijë përpara njeri të më thotë që un kam ardhur për qejf dhe nuk stërvitem!”.

E teksa ia thoshte në sy trajnerit Gjoka, por edhe lojtarëve, asnjë nuk guxonte ta shihte, sepse ai, “ushtari” Bruno, ishte i përkushtuar në atë që bënte.

Vlora sapo ka humbur një lider, që për Vlorën ishte gati të jepte edhe shpirtin e jetën, por që nuk u vlerësua kurrë për atë që bëri gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk ishte çështje parash, por s’mund të vazhdonte të derdhte djersë në fushë, duke luftuar për mbijetesën, sepse dikush i shiti iluzione, vazhdimisht.

Dhe, mund të firmoste me kohë në kampionatin shqiptar, në shumë skuadra të tjera, Partizani, Skënderbeu, Tirana e Kukësi. Nuk e  bëri, për një motiv: sepse një ushtar nuk mund të bëhet “mercenar”… Iku larg, në Kroaci. Ndoshta do të kthehet një ditë, ndoshta sërish me Flamurtarin, por deri atë ditë, Vlora do të kuptojë se çfarë ka humbur!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online