Vllaznisë i mbaron “dashuria” për malazezët?

Fundjava ka qenë pushim për kuqeblutë, ndërkohë që deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje në merkato. I çuditshëm fakti që nuk po vëzhgohet tregu malazez

Gaspër Marku

Pas pushimit në mesjavë, për kuqeblutë ka ardhur edhe një tjetër pushim në fundjavë. Referuar ecurisë së procesit stërvitor në kampin kuqeblu, shprehen të kënaqur me mbylljen e javës së parë të përgatitjeve. Sipas stafit teknik, futbollistët gjatë të gjithë këtyre ditëve u janë përgjigjur me rigorozitet programit stërvitor, ku përpos elementeve të tjera teknikë dhe taktike, pozitive ka qenë përballimi me sukses edhe i ngarkesave fizike. Për të shmangur ngarkesën e tepërt fizike, stafi teknik ka vendosur që të mos ketë periudhë të pandërprerë stërvitore, së paku deri në nisjen e fazës përgatitore intensive. Kuqeblutë startuan me përgatitjet e sezonit të ri futbollistik me 7 korrik, pasi më parë zhvilluan analizën e shumë diskutuar. Sipas asaj që pati deklaruar ditë më parë tekniku Cungu për mediat, Vllaznia pritet të konsumojë edhe të gjithë ditët e korrikut me seancat stërvitore në qytetin e Shkodrës, për t’i lënë më pas vendin fazës përgatitore në Malit të Zi.

MERKATO

Vllaznia vazhdon të jetë “aktive” në merkato, të paktën kështu thuhet në letër, sepse realisht akoma nuk ka as edhe një lajm konkret në lidhje me afrimet në skuadër. Një gjë të tillë e rikonfirmoi dje për gazetën edhe administratori Gjyrezi, duke pohuar se ato vazhdojnë kontaktet me futbollistë të ndryshëm, të cilët për efekt strategjie nuk preferojnë të bëjnë publikë emrat e tyre. Nëse ka diçka që në një farë mënyre është e konfirmuar si e vërtetë, ajo ka të bëjë me atë që për sa i përket merkatos, Vllaznia duket se nuk ka më “dashuri” me malazezët. Kjo duket qartë edhe nga emrat që vazhdojnë të lakohen, të cilët i përkasin kampionatit shqiptar, pasi siç ka deklaruar edhe vete tekniku Cungu, përqendrimi në kampionatin shqiptar pretendohet të jetë më i efektshëm.

Sipas të gjitha gjasave, ky ndoshta mund të jetë sezoni i vetëm futbollistik që Vllaznia nuk i ka hedhur sytë nga kampionati i Malit të Zi. Vitin e kaluar, përpos atyre që kaluan testimet, nuk arritën të fitojnë besimin e stafit teknik dy prej tyre, portieri Agoviç dhe mbrojtësi Cicmil, të cilët luajtën për një periudhë të gjatë kohe si titullar me uniformen kuqeblu. Me sa duket, prishja e raporteve mes palëve në javët e fundit, për arsye të përformancave jo të mira në fushën e lojës, jo vetëm që ndikuan në largimin e tyre pa përfunduar kampionati, por edhe në një ftohje raporteve me futbollin e kampionatit fqinj. Gjithsesi, me apo pa malazezët, e rëndësishme për t’u theksuar është që Vllaznia deri më tani është në piken zero të merkatos. Emrat e përfolur, përfshirë edhe atë të Edon Hasanit, vazhdojnë të qëndrojnë vetëm në letër, sepse kjo javë që po mbyllet nuk rezulton të jetë efektive në këtë drejtim. Opinioni sportiv shkodran, mbetet me shpresë dhe besim se java e ardhshme do të sjellë diçka të re në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *