Vllaznia, sulmuesi vjen nga Bosnja

Ndonëse në Shkodër është thënë shpesh që në sezonin e ri do të mundohen të vlerësojnë sa më shumë vendasit, duke evituar sa të jetë e mundur tregun e huaj, është e qartë që disa nevoja nuk i përmbush dot Superiorja.

Në radhë të parë, duhet sulmues cilësor pas largimeve të Hebajt dhe Bakajt, ndërsa në Superiore nuk ka asnjë emër, aq më shumë që janë larguar edhe emra si Pejiç, Ekuban e Salihi.

Për këtë arsye, Vllaznia po sheh në vendet e rajonit dhe TV Rozafa raporton se në Shkodër ka mbërritur një sulmues boshnjak, Nedo Turkoviç.

Shtatlarti 27-vjeç ka një CV të pasur, sepse ka luajtur me disa klube në Bosnje-Hercegovinë, por edhe në Malin e Zi e në Azerbajxhan.

Në sezonin e fundit Turkoviç e nisi te Olimpik Sarajevo, por në pranverë luajti te Brezhice, në divizionin e dytë slloven, ku shënoi 9 gola në 10 ndeshje.

Ky futbollist do të testohet për disa ditë nga ana e stafit teknik të Vllaznisë dhe Cungu ka ndërmend të zhvillojë ndonjë miqësore për ta parë, ashtu si edhe mesfushorin Alban Ramadani, i cili javën e shkuar doli në stërvitje te Vllaznia dhe do të vazhdojë edhe këtë javë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *