Shkodra e do futbollin dhe kjo nuk do shumë mend. Dje, tifozët e Vllaznisë e treguan veten edhe njëherë, pikërisht në momentin kur duhej. Të gjithë ishin zgjuar dhe gjatë gjithë javës personazhe të artit dhe sportit bënë thirrje për mbështetje të skuadrës në finalen me Tiranën.
Ata nuk tradhtuan dhe në fund gëzuan qëndrimin e Vllaznisë në Superiore. E kishin mbushur stadiumin si kurrë më parë, duke merituar notën maksimale për këtë ndeshje. Në fakt, nuk është normale të shohësh që në Shkodër festohet se skuadra e “djepit të futbollit” nuk ka rënë nga kategoria. Gjithsesi, e lëmë anash këtë pjesë, pasi tifozët meritojnë notën 10 për mbështetjen, që i dhanë skuadrës së tyre dje në stadiumin “Loro Boriçi”. Rreth 15 mijë tifozë në stadium brohoritën për Vllazninë dhe meritojnë vlerësim, edhe pse në ndonjë moment mund ta kenë tepruar me ndonjë kapsollë apo tymuese të hedhur në fushë.
GJYREZI – Pas ndeshjes së djeshme, administratori i kuqebluve, Astrit Gjyrezi, përtej gëzimit të madh të qëndrimit në Superiore të skuadrës, ka vlerësuar mbështetjen e tifozëve shkodranë. Ai ka theksuar se të tilla pamje stadiumi “Loro Boriçi” duhet t’i ketë sa më shpesh dhe në ndeshje suksesesh: “Jam mjaft i lumtur, që ia dolëm të sigurojmë qëndrimin në elitë. E bëmë me ndihmën e tifozëve dhe ndjej kënaqësinë e kthimit të tyre. Eshtë bukur të shohësh 15-16 mijë tifozë në stadium dhe shpresoj që këto pamje t’i shohim në ndeshje, ku Vllaznia të diskutojë trofe dhe jo të luftojë për mbijetesë”, – theksoi kreu i klubit shkodran.