Skuadra kuqeblu ka nisur javën e dytë të stërvitjes, ku me grupin është bashkuar Nikolla Martinoviç, i cili do të testohet nga stafi teknik
Gaspër Marku
Pas pushimit dyditor të fundjavës, Vllaznia i është rikthyer dje procesit stërvitor. Në orën 19:00, kur bien pak temperaturat e larta, ka nisur seanca e djeshme, e para e kësaj jave, që ka zgjatur deri në të errur, aq sa topi mezi shihej. Pasi është konsumuar pjesa më e madhe e programit stërvitor, me elementë fizikë dhe teknikë, në pjesën e fundit është kaluar në lojën në fushë të hapur mes dy formacioneve. Një lojë 30-minutëshe, që e ndihmon stafin teknik të shohë gjendjen e futbollistëve, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në lojën me topin.
Martinoviç në provë
Nikolla Martinoviç quhet futbollisti i ardhur nga Mali i Zi, mysafiri i parë që shfaqet gjatë kësaj periudhe përgatitore në gjirin e kuqebluve. Nga sa mësohet, futbollisti në fjalë nuk është se bën pjesë në listën e kërkuar nga ana e stafit teknik të Vllaznisë për merkaton verore, por dje ai është parë të stërvitet me skuadrën, madje ka luajtur edhe në ndeshjen e kontrollit. Pranë stafit kuqeblu mungonin të dhënat rreth këtij futbollisti, i cili pas stërvitjes ka sqaruar se është 24 vjeç, luan si mbrojtës i majtë dhe vjen nga kampionati malazez, nga kategoritë inferiore. Futbollisti ka pohuar se në Shkodër nuk ka ardhur nëpërmjet ndonjë menaxheri, por me rekomandimin e ish- futbollistit të Vllaznisë, Jani Jovanit, i cili aktualisht shërben në trupin diplomatik shqiptar në kryeqytetin malazez, në Podgoricë. Stafi teknik nuk është se ka përcjellë ndonjë konsideratë rreth këtij lojtari, por Martinoviç bëri të ditur pas seancës stërvitore se do të jetë sërish në stërvitje me kuqeblutë. Nëse i shërben Vllaznisë apo jo, do të vendosë tekniku Cungu. Por pozitiv është fakti se në skuadër mbërriti mysafiri i parë, i cili shpresohet të hapë rrugën për të tjerët, kryesisht për ata që Vllaznia realisht është e interesuar.
Hasani dhe merkato kuqeblu
Drejtuesit e Vllaznisë, ata të stafit teknik dhe të klubit, por edhe opinioni sportiv shkodran, të gjithë janë në pritje të emrave të piketuar për merkaton verore. Emri më i lakuar i këtyre ditëve është Edon Hasani. Informacionet nga burime brenda klubit kuqeblu bëjnë të ditur se mes palave vazhdon të jetë në fuqi një akord për kushtet e kontratës. Edhe vetë futbollisti tashmë e ka dhënë pëlqimin e tij, por ajo që e mban në një farë mënyre “peng” konkretizimin thuhet se është një ofertë joshëse e ardhur nga jashtë. Vetë Hasani ka qenë gati për t’u dhënë fund lëkundjeve për veshjen kuqeblu, por janë shfaqur menaxherët e tij, të cilët i kanë kërkuar të presë të paktën deri në fund të kësaj jave, pasi bëhet fjalë për shifra të mëdha financiare, që nuk mund t’i përfitojë te Vllaznia. Burimet pranë futbollistit bëjnë të ditur se gjithçka pritet të mbyllet brenda kësaj jave. Me të gjitha gjasat, e hëna e ardhshme mund ta gjejë Hasanin në stërvitje me kuqeblutë. Për emrat e tjerë, edhe pse bëhet e ditur se po punohet në këtë drejtim, nuk ka asnjë sinjal konkret. Për merkaton thuhet se lëvizjet do të jenë konkretizuar përpara nisjes për fazën përgatitore jashtë vendit.