Gaspër Marku
Menjëherë pas sfidës së kombëtares kuqezi me ndeshjen Shqipëri-Itali që luhet mbrëmjen e së hënës në “Loro Boriçi”, tri ditë më pas qilimi i blertë i këtij stadiumi do të vihet në dispozicion të një sfide tjetër interesante si ajo mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Një ndeshje që pritet të jetë testi final për skuadrën kuqeblu sa i përket kthesës së mirëpritur në arritjen e rezultateve pozitive. Shkodranët kërkojnë të lënë prapa gjithçka ka ndodhur në javët e mëparshme dhe për këtë besimi duket qartë gjatë seancave stërvitore. Një optimizëm i tillë shfaqet dukshëm pa përjashtim tek të gjithë lojtarët, që i janë nënshtruar një procesi stërvitor intensiv. Dje trajneri Cungu ka preferuar aplikimin e dy seancave stërvitore në ditë, por në ndryshim nga ditët e mëparshme këtë radhë seanca e dytë shtesë nuk ka qenë në palestër, por në fushën e blertë. Stafi teknik është përqendruar në ushtrimet me topin, aplikime të lojës në krahë me krosime nga vija anësore, gjuajtje në portë në ecje e sipër, si dhe në ekzekutimin e goditjeve standarde. Një vëmendje kryesore ka zënë edhe loja mes dy formacioneve, duke pasur në fokus testimin e futbollistëve kandidatë për një vend titullari ndaj Flamurtarit.
INFERMIERIA – Pozitive shikohet përmirësimi i gjendjes fizike të nigerianit Nuredin Orelesi, i cili ka lënë pas dëmtimin e pësuar në ndeshjen me Laçin dhe tashmë është në dispozicion të teknikut Cungu. Po kështu edhe mesfushori Alsid Tafili, i cili është rikuperuar plotësisht duke shtuar alternativat për stafin teknik. I vetmi futbollist që vazhdon të jetë larg skuadrës është ganezi Çarles Atsina. Problemi i sulmuesit u bë objekt diskutimi nga trajneri Cungu ditë më parë, kryesisht për paqartësinë e atij dëmtimi që ai ka marrë. Atsina vazhdon të qëndrojë larg skuadrës, duke qenë nën kujdesin e stafit mjekësor. Sidoqoftë, e rëndësishme është që përgjithësisht situata në kampin kuqeblu është pozitive, madje me një optimizëm të dukshëm për të fituar të enjten me Flamurtarin.
FORMACIONI – Nga dje trajneri Cungu ka nisur të mendojë për formacionin me vlonjatët, teksa në programin stërvitor është përfshirë edhe loja. Të gjithë ato që duan të dinë e idetë e trajnerit shkodran për emrat që preferon të hedhë në fushë nga minuta e parë, i presin me shume interesim këto lloj ballafaqimesh. Përgjithësisht deri në ditën e ndeshjeve nuk ka pasur ndryshime të mëdha, me përjashtime të vogla. Së fundmi është konstatuar se nuk pritet ndonjë ndryshim i madh me formacionin që ishte në fushë në ndeshjen e kaluar me Laçin. Loja e Vllaznisë ndaj Laçit është vlerësuar nga specialistët, por nëse kuqeblutë u kthyen në Shkodër pa asnjë pikë, defekti ishte mungesa e finalizimit, pakujdesia në qendrën e mbrojtjes në golin e parë, përfshirë edhe portierin në golin e dytë. Në të tilla kushte, duke besuar në rikuperimin e këtyre defekteve, shkodranët pretendojnë të fitojnë me Flamurtarin të enjten në “Loro Boriçi”. Për të parë realisht dhe në mënyrë më të plotë planin e Cungut duhet pritur rikthimi në skuadër i mesfushorit Ardit Krymi, i cili prej disa ditësh vazhdon të jetë në dispozicion të teknikut Alban Bushi për ndeshjet e kombëtares U-21. Për momentin në vendin e tij është aktivizuar Alsid Tafili, që pas lënies prapa të dëmtimit po kërkon të rikthehet titullar. Deri ditën e ndeshjes stafi teknik ka kohën e mjaftueshme edhe për testime të tjera dhe më pas të vendosë për emrat e duhur që do të hedhë në fushën e lojës nga minuta e parë.
Formacioni i mundshëm (4-3-2-1)
Vllaznia: Selimaj – Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku –Tafili, Bardulla, Hasani – Çinari, Lika – Ribaj