Vllaznia pa dy, Çinari: Jemi të uritur për pikë

0

Sulmuesi anësor thekson se Vllaznia në fushë do të hyjë për të marrë pikët maksimale, që do t’u jepnin shkodranëve qetësinë e duhur. Vlerësimi për Luftëtarin, maksimal

Gaspër Marku

Nga humbja me Teutën në transfertë të dielën, ka ardhur fitorja në mesjave me Lushnjen, ndërkohë që sot kërkohet trepikëshi i radhës ndaj Luftëtarit. Nga sa është parë edhe në atë që shpreh skuadra në procesin stërvitor, të gjithë duken entuziastë dhe me besim të madh që do të arrijnë ta marrin rezultatin e kërkuar, që nëse arrihet të bëhet realitet, atëherë gjërat te Vllaznia mund të thuhet se kanë filluar të lëvizin për mirë. Optimist për marrjen e një rezultati pozitiv është edhe mesfushori kuqeblu, Erald Çinari. Në prononcimin e dhënë për gazetarët shkodranë, Çinari thekson se skuadra ndjehet e uritur për pikë, ndërkohë që premton do të korrigjohet shënjestra e goditjes në portën kundërshtare.  

Luani ndaj një kundërshtar direkt si Luftëtari dhe me patjetër ju kërkohet fitorja…

  • Pas fitores me Lushnjen jemi më entuziast dhe kërkojmë fitoren, pasi jemi të uritur për të marrë pikë. Prandaj, kërkojmë maksimumin e kësaj ndeshje dhe të tjerave në vazhdim.

Ndaj Lushnjes u shpërdorua shumë, mes të tjerëve edhe ju. I keni marrë masat ta eliminoni këtë defekt?

  • Është e vërtetë, por e rëndësishme është që rastet krijohen, ka volum loje, por atëherë është fati në dorë që ka të bëjë jo pak në të tilla situata.

Kjo do të thotë se sot do të kemi korrigjim të shënjestrës nga Çinari…

  • Shpresojmë që po, por e rëndësishme është që të marrim trepikëshin, sepse kemi nevojë për momentin, në mënyrë që të dalim nga kjo situatë.

Çfarë mendoni për kundërshtarin e radhës?

  • Vlerësim maksimal për atë ekip, ka cilësi brenda, por nuk do të thotë që ne të mos bëjmë lojën tonë dhe të marrim maksimumin, sepse për atë duhet të futemi në fushën e lojës.

Është konsideruar një hap pozitiv fitorja me Lushnjen. A mund të jetë kthesa e vërtetë ndaj Luftëtarit?

  • Shpresojmë dhe besojmë që po. Ne kemi punuar edhe gjatë javës, pavarësisht se nuk kemi pasur edhe ditë shumë në dispozicion. Por kemi punuar maksimalisht me përkushtim shumë të madh dhe shpresoj të arrijmë suksesin.

Tifozët vazhdojnë të jenë të paktë në stadium, edhe pse mesazhet në drejtim të tyre nuk kanë munguar…

  • Është e vërtetë dhe me të drejtë janë të irrituar me ne, por besoj se ata janë forca e jonë dhe duhet që të jenë sa më të shumtë në numër në shkallët e stadiumit, që të na përkrahin. Kemi nevojë shumë për ta.

Situata në skuadër në lidhje me dëmtimet, a ka ndonjë përmirësim?

  • Ka pasur disa dëmtime, por nuk besoj se janë gjëra serioze, besoj se do të jenë në lojë.

Pjeshka dhe Krymi mungojnë përsëri
Denis Pjeshka dhe Ardit Krymi do të mungojnë edhe në sfidën me Luftëtarin. Një gjë e tillë është konfirmuar në seancën e djeshme, edhe pse dëshira e tyre për të qenë pjesë e skuadrës në këtë sfide të rëndësishme ishte e madhe. Në fakt, për Krymin situata u duk se do të ishte disi më pozitive, pasi në seancën e së premtes ai u bashkua me grupin, duke marrë edhe ngarkesat e plota. Por, me sa duket stafi mjekësor ka menduar që Krymi nuk është ende gati për të qenë në fushën e lojës.


 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.