Vllaznia nis punën, vetëm shkodranë dhe mungesa

0
 Gaspër Marku
Ashtu siç u paralajmërua edhe një ditë më parë, menjëherë pas zhvillimit të analizës së sezonit të kaluar, dje kuqeblutë janë shfaqur në fushën stërvitore. Gjatë paradites, drejtuesit e klubit, Gjyrezi e Zeka, së bashku me trajnerin Cungu janë parë të futen së bashku në mjediset e Bashkisë Shkodër, ku kanë diskutuar hollësisht rreth emrave që do të jenë pjesë e skuadrës kuqeblu për sezonin e ri futbollistik. Nga sa bëhet e ditur, prej këtij takimi është përcaktuar edhe lista e atyre futbollistëve që do të paraqiteshin në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” për startin e përgatitjeve të sezonit të sezonit të ri futbollistik.
GJYREZI – Kuqeblutë rreth orës 19:00 kanë nisur përgatitjet, ndërkohë që më parë, në prezence të trajnerit Cungu dhe stafit të tij, ka qenë administratori i Gjyrezi që ka folur gjatë përpara skuadrës. Mësohet ka kërkuar futbollistëve dhe stafit teknik të bëjnë më të mirën e tyre në procesin stërvitor, në mënyrë që me fillimin e sezonit skuadra të ketë një përfaqësim sa më dinjitoz. Ndër të tjera, bëhet e ditur se Gjyrezi ka garantuar skuadrën se nga ana e klubit Vllaznia, e bashkisë Shkodër dhe personalisht e kryebashkiakes Voltana Ademi, nuk do t’iu mungojë mbështetja e duhur, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana organizative. Më pas me skuadrën ka bashkëbiseduar edhe vetë tekniku Cungu, i cili bëhet e ditur se është marrë me elementët e rinj që i janë bashkuar skuadrës, duke i dhënë porositë dhe orientimet e duhura për një bashkëjetese sa më bashkëpunuese me ekipin e parë.
KALAJA – Mungesa e mesfushorit Arlind Kalaja ishte ajo që ra në sy në seancën e djeshme stërvitore. Ditë më parë, për mesfushorin kuqeblu u fol për një transferim jashtë vendit, por megjithatë më pas pati një ndryshim “kursi”, me mesfushorin që tashmë duket se do të mbetet në Shqipëri. Burime zyrtare nga klubi i futbollit Vllaznia bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se futbollisti në fjalë ishte lajmëruar ashtu si pjesëtarët e tjerë të skuadrës për t’u paraqitur në procesin stërvitor, ndërkohë që të njëjtat burime saktësojnë se atij i ka mbaruar kontrata me Vllazninë, çka ka bërë që të shfaqë luhatje në lidhje me praninë e tij në këtë seancë të parë stërvitore, duke e argumentuar se më parë ai duhet të takohej me administratorin Gjyrezi për të diskutuar për kushtet e kontratës së re. MUNGESAT – Arsen Hajdari, Arenc Dibra dhe Bekim Erkoçeviç nuk kanë qenë pjesë e grupit të djeshëm në dispozicion të Cungut. Për asnjërin nuk është dhënë ndonjë arsye dhe as janë përmendur fare, ndaj duket se marrëdhënia e tyre me Vllazninë ka përfunduar. Të tre lojtarët janë produkt i klubit, por asnjëherë nuk kanë pasur hapësira në formacionin bazë, ndaj me shumë gjasa janë larguar për të kërkuar më shumë hapësira gjetkë. Lista, të gjithë shkodranë 22 futbollistë kanë qenë të pranishëm në seancën e djeshme, teksa bëhet fjalë vetëm për lojtarë vendas.
Në stërvitjen e parë: Shtubina, Tafili, Gocaj, Marku, Bardulla, Selimaj, Kruja, Çinari, Krymi, Pjeshka, Gurishta, Dycaj, Vecaj, Kapaklia, Sherri, Mehmeti, Miloti, Rajçeviq, Pusi, Isufi, Brahimi, Lusha.
You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.