Vllaznia në Mal të Zi, porta dhe miqësoret çështje

0

Gaspër Marku

Gjetja e një portieri të tretë është bërë me të vërtete problem në radhët e kuqebluve. Problematika qëndron në faktin se ai që vjen kërkohet të plotësojë kuotën zyrtare prej tre portierësh në listën e federimit të Vllaznisë. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse tjetra është edhe shumë më e komplikuar, pasi portieri që vjen nuk kërkohet thjesht për të plotësuar listën, por kërkohet të jetë në parametrat e titullarit për të marrë përsipër fatet e mbrojtjes së portës kuqeblu. Këtu, duket se po “luan me zjarrin”, sepse duke kërkuar një të “tretë” për ta komanduar më pas të parë, ka shumë mundësi të humbë edhe këta që ka, konkretisht Erind Selimajn, i cili realisht akoma nuk ka firmosur zyrtarisht për vijueshmërinë e bashkëpunimit me Vllazninë. Për hir të së vërtetës, prej kohësh Selimaj e ka deklaruar se dëshira dhe synimi është të qëndrojë tek kuqeblutë, por një gjë e tillë ka të bëjë me fatet e luajtjes në formacion apo jo. Në të tilla kushte, ajo që del si detyre emergjente për drejtuesit e Vllaznisë dhe stafin teknik të kuqebluve është zgjidhja përfundimisht sa nuk është vonë e këtij “ngërçi”, duke e ndarë mendjen, që do të thotë të përzgjidhet një portieri i ri në merkato për t’i besuar ruajtjen e portës, ose të gradojë Selimajn titullar.

MIQËSORET
Katër ndeshje miqësore ka zhvilluar deri më tani skuadra kuqeblu, duke regjistruar dy fitore, me Kastriotin 4-0 dhe ndaj Tërbunit 1-0. Ndërkohë, përballjet në transfertë me Laçin dhe Besëlidhjen kanë përfunduar në barazim 1-1. Në programin e kuqebluve janë për t’u zhvilluar edhe dy miqësore të tjera, të cilat stafi teknik i ka programuar të luhen në ditët përgatitore malazeze, ato janë në pikëpyetje të plotë. Lajmet që vijnë nga kampingu malazez i Beranes bëjnë të ditur se problemi për gjetjen e kundërshtarëve ka të bëjë me faktin se skuadrat e kampionati malazez kanë filluar aktivitetin zyrtar dhe duke qenë në një fazë tjetër më të avancuar se sa ajo e skuadrës kuqeblu, nuk e shohin veten profesionalisht për ta bërë realitet një gjë të tillë. Në këto kushte, kur edhe periudha e qëndrimit në Berane pritet të mos jetë më e madhe se sa 10-12 ditore, të paktën një përballje zyrtare është mjaft e nevojshme. Drejtuesit kuqeblu po vazhdojnë kontaktet për mirëkuptimin me një nga skuadrat malazeze, apo edhe të ndonjë kampionati tjetër të rajonit këtu afër, në mënyrë që skuadra të mos kthehet në Shkodër pa një përballje miqësore.

FAZA NË BERANE
Nisin ditët malazeze, lista e plotë
Vllaznia ka nisur zyrtarisht përgatitjet në token malazeze. Ashtu siç ishte paralajmëruar më parë, skuadra është nisur dje paradite nga qyteti i Shkodrës, ku në autobusin kuqeblu bënte pjesë një delegacion sportiv prej 30 pjesëtarësh, ndër të cilët 24 janë futbollistë, tre të stafit teknik dhe tre të stafit mjekësor. Tekniku Cungu nuk ka humbur kohë, dhe po dje, pasi skuadra është akomoduar në kompleksin sportiv të qytetit Berane, ka nisur menjëherë nga përgatitjet. Seanca e parë stërvitore e zhvilluar pasditen e djeshme është shoqëruar me një program të plotë, ndërkohë që dita e dytë, pritet të ketë një ngarkesë më të madhe.
LISTA E VLLAZNISË
Portierë: Selimaj, Sherri
Mbrojtës: Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku, Gurishta, Miloti, Mehmedaj, Ruqi, Kukaj
Mesfushorë: Tafili, Lika, Hasani, Krymi, Kalaja, Bardulla, Çinari, Kruja, Vecaj, Brahimi, Rajçeviç
Sulmues: Pusi, Atsina
Stafi teknik: Armando Cungu, Aleksander Maxhar
Stafi mjeksor: Zyhdi Çoba, Ilirjan Haxhaja, Ruzhdi Mesi

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.