Vllaznia ka afruar disa lojtarë me emër këtë verë, por në dulm ka mbetur zbuluar. Klubi ka tentuar disa emra, por për arsye të ndryshme nuk është realizuar ndonje goditje serioze.
Tani, ndoshta edhe nën presion për sulmues, Vllaznia ka firmosur me ganezin Çarles Atsina, futbollist me CV të çuditshme.
Lindur në Ganë, Atsina ka pasaportë italiane, ku nisi karrierën dhe në vitin 2011 bëri hapin e madh, sepse kaloi nga Virtus Verona te Alkorkoni në Spanjë, për 150,000 euro. Nuk i eci aty, duke shkuar në ligat e ulta gjermane, më pas në Finlandë dhe prej shkurtit të këtij viti ka qenë pjesë e Panevezis, klub i divizionit të dytë lituanez.
Tani Atsina ka bindur stafin teknik dhe ka firmosur, pas provës disaditore dhe një goli në miqësoren me Kastriotin të mërkurën.
“Një tjetër përforcim për ekipin tonë. Sulmuesi Çarles Atsina ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit dhe më pas ka firmosur kontratën e ofruar nga ato. Kësisoj, ai do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, me opsionin për ta zgjatur edhe një tjetër. Mirë se erdhe Çarles!”, shkruan Vllaznia në faqen e vet zyrtare.