Më në fund edhe Vllaznia do të ketë mundësi të shijojë një fazë për përgatitore. Rivalet e saj kanë kohë që janë grumbulluar, madje ka prej atyre që periudhën e fazës jashtë vendit e kanë konsumuar më përpara dhe tashmë vijojnë grumbullimin në Shqipëri. Pengeë për një gjë të tillë thuhet se janë bërë procedurat burokratike të lëvrimit të fondeve nga institucionet e qeverisjes vendore, por gjithsesi tashmë një gjë e tillë është kapërcyer dhe që prej ditës së sotme kuqeblutë nisin ditët përgatitore malazeze.
Lajmi është zyrtar nga ana e klubit të futbollit Vllaznia, gjë të cilën në fakt e pati konfirmuar edhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, gjatë prononcimit për mediat pas ndeshjes miqësore me Tërbunin. Sipas të njëjtit burim, ora 08.00 është lënë që skuadra të lërë qytetin verior të Shkodrës për t’iu drejtuar pikës doganore të Hanit të Hotit dhe më pas për të mbërritur në Berane, qytetin e freskët dhe piktoresk në kufi me Serbinë.
Ndonëse të rejat më të fundit pritet të zbulohen në momentin kur futbollistët do të zënë vend në sediljet e autobusit, burime pranë klubit të futbolli Vllaznia bëjnë të ditur se përgjithësisht do të jetë ai kontigjent që është bërë i njohur dhe që është stërvitur gjatë përgatitjeve të zhvilluara në Shkodër.
Krahas grupit të titullarëve të sezonit të kaluar, në listë janë edhe katër blerjet e reja, Hasani, Lika, Orelesi dhe Atsina, si dhe grupi i të rinjve, të ardhur nga Akademia Vllaznia, me përjashtim të shtatlartit Enes Isufi, i cili është i grumbulluar me kombëtaren U-19. Jashtë kësaj liste ka mbetur portieri maqedonas, Kristian Naumovski, i cili ishte në provë në radhët e kuqebluve, por vlerësimi ndaj tij ka qenë me notë negative.