Leo Mesi ka dhënë aq shumë për Barcelonën, sa e duan më shumë në Katalunjë sesa në Argjentinë. “Mundo Deportivo” zbulon se qeveria e Katalunjës në bashkëpunim me bashkinë e Barcelonës kanë vendosur t’i akordojnë 31-vjeçarit çmimin “Creu de Sant Jordi”. Ky është çmimi më i nderuar në shtetin në varësi të Spanjës dhe i jepet personave që kanë kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin e Katalunjës.
Kjo dekoratë në përgjithësi i akordohet individëve jashtë botës së sportit, por Leo është një përjashtim. Çmimi do t’i dorëzohet Mesit në mesin e muajit të ardhshëm. Motivi i dekorimit të argjentinasit me këtë çmim ishte: “I njohur si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, Leo Mesi mishëron atribute të mëdha sociale e sporive. Ai simbolizon përulësinë, ndershmërinë, të mësuarit, kreativitetin, shpirtin e ekipit dhe respektin.”