Xhani De Biazi është rikthyer sërish në vendin ku la gjurmë të mëdha si trajner, teksa në vitin 2016 bëri realitet një ëndërr që shqiptarët e mbanin prej vitesh me vete. Kualifikimi në finalet e Euro2016 është padyshim arritja më kulmore në historinë e Kombëtares kuqezi dhe për këtë një meritë të veçantë ka trajneri italian.
De Biazi ka mbërritur prej disa ditësh në Shqipëri, ku ka zhvilluar ndeshjen e radhës së përfaqësueses që ai drejton, Azerbajxhanin. Pas takimit të mbrëmshëm në “Elbasan Arena”, ish-kreu i pankinës së Kombëtares kuqezi ka vendosur të vizitojë ditën e sotme ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Investimi i madh që është bërë për këtë projekt ka lanë një shije mjaft të mirë te De Biazi, që nxjerr në pah ndryshimet pozitive që kanë ndodhur prej kohës kur ai është larguar nga stoli i Shqipërisë.
“Ky është projekt vërtetë madhor dhe mund të them se është bërë një punë e shkëlqyer. Kur e krahasoj me fillimet e mia në Shqipëri, ka një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv veçanërisht në drejtim të infrastrukturës. Ndihem vërtetë mirë të shikoj këto investime dinjitoze”, ka thënë De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i FSHF-së:
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka vizituar sot ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Tekniku italian ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh pasi kombëtarja e Azerbajxhanit, skuadra që ai drejton aktualisht, luajti të martën ndaj Qipros në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pasi u njoh nga afër me projektin, por edhe me investimin e bërë deri më tani, De Biasi u shfaq i impresionuar dhe vlerësoi maksimalisht puën dhe vizionin e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Ky është projekt vërtetë madhor dhe mund të them se është bërë një punë e shkëlqyer. Kur e krahasoj me fillimet e mia në Shqipëri, ka një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv veçanërisht në drejtim të infrastrukturës. Ndihem vërtetë mirë të shikoj këto investime dinjitoze”, tha Gianni De Biasi.