Viti 2017 ka qenë më i keqi në karrierën e shkëlqyer të Zllatan Ibrahimoviçit.
Ylli suedez pësoi në pranverë një dëmtim të rëndë në gju, që u mendua se do ta linte pa futboll deri në 2018. Kjo bëri që Mançester Junajtid të mos rinovonte me të, por kur në vjeshtë riaftësimi i Ibras po ecte me ritme fantastike, erdhi marrëveshja e re me “Djajtë e kuq”, me kontratë të re deri në fund të sezonit.
Kthimi nuk ka qenë perfekt, sepse Ibrahimoviç nuk po gjen vetveten dhe të Junajtid janë krijuar edhe probleme, me Lukakun që nuk ndihet mirë nga prania e kolegut që luan në të njëjtin rol.
Tani vjen edhe një lajm shumë i hidhur për gjigantin suedez, sepse në ndeshjen kundër Bërnlit u zëvendësua në pushim dhe dje nuk luajti fare, për një dëmtim të ri.
Zhoze Murinjo ka zbuluar se bëhet fjalë për një dëmtim pikërisht në gjurin e operuar në pranverë dhe Ibrahimoviç do të mungojë rreth një muaj. Situatë shqetësuese për Junajtid, sepse është dëmtuar edhe Lukaku, ndërsa Ibrahimoviç shpreson që viti 2018 të jetë më i mbarë në aspektin fizik.