Viti i spastrimeve, “garda e vjetër” është në rrezik

Partizani do të largojë një pjesë të mirë të lojtarëve. Drejtuesit po mendojnë një rigjenerim të skuadrës. Në sitë të gjithë

Partizani është futur në një “erë” ndryshimesh. Eksperimentet me italianët dështuan dhe tashmë po mendohet një tjetër strategji. Drejtuesit e klubit i kanë humbur shpresat për të arritur te titulli kampion dhe po mendojnë që të mbyllin sezonin e ri sa më lart, me shpresën për të arritur Evropën, por edhe të marrin Kupën e Republikës, një tjetër titull të munguar prej kohësh në familjen e kuqe.
Ideja është që të vihen bazat e ndërtimit të ekipit për të ardhmen. E për ta bërë këtë gjë do të ketë largime masive, jo në merkaton e janarit, por në një shtrirje më të gjerë kohore, me sytë nga merkatoja e verës.
Drejtuesit e klubit të Partizanit duan të sjellin një frymë të re në skuadër për edicionin tjetër dhe për ta bërë këtë gjë duhet të hiqet e vjetra.
GARDA E VJETËR” – Të parët që rrezikojnë janë të etiketuarit si “garda e vjetër”. Gëzim Krasniqi është emri i parë në listën e largimeve. Mbrojtësi ka humbur vendin e titullarit dhe ndoshta shkëputja e marrëdhënieve me “demat”, është një dëshirë edhe e tija. Në të njëjtën linjë me të është edhe sulmuesi Xhevahir Sukaj. Shkodrani nuk po arrin të gjejë formën e tij më të mirë dhe kontributi i tij ka qenë shumë i vogël. Me formën në rënie dhe me afrimin e alternativave të tjera, rrugët e Partizanit dhe Sukajt nuk duken shumë të gjata. Afrimi i Lukasit, por me shumë mundësi edhe të ndonjë sulmuesi tjetër do të zvogëlojë hapësirat për të.
“TË PAPREKSHMIT” – Mund të mos e besoni, por të rrezikuar për t’u larguar në fund të sezonit janë edhe titullarët stabël të formacionit të Partizanit. Ish-kapiteni Alban Hoxha është një emër që mund t’i japi fund aventurës së tij me “demat”. Mesfushori Vila është në të njëjtën linjë me to. Ai mund ta mbyllë me të kuqtë në fund të sezonit. Një tjetër emër që mund të largohet është kapiteni Idriz Batha dhe mesfushori Lorenc Trashi.
Situata është mjaft interesant edhe gjithçka mbetet për t’u parë deri në fund të sezonit. Dhe jo, nuk jemi të çmendur, por po flasim për një mundësi reale!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *