Duro: Llogaritë bëhen në fund, Vllaznisë nuk i shihet renditja

0

Trajneri i Flamurtarit kërkon kujdes maksimal sot, për të marrë tre pikët ndaj shkodranëve, ndërsa flet edhe për merkaton

Flamurtari kërkon rikthimin tek fitorja pas dy barazimeve radhazi në kampionat. Dy barazime që e kanë zbritur skuadrën në vend të katërt të renditjes, me pikë të barabarta me Kukësin dhe padyshim kërkohet fitorja për të vijuar me rezultatet pozitive. Trajneri Shpëtim Duro ka vlerësuar njëkohësisht kundërshtarët e Vllaznisë,një skuadër me shumë lojtarë cilësorë në gjirin e vet, ndaj kërkohet kujdesi maksimal, në një ndeshje ku vlonjatët do të kenë edhe dy mungesa shumë të rëndësishme si Useini dhe Zhufo.
– Përballë Vllaznisë kërkohet fitorja, pas dy barazimeve në kampionat.
– Natyrisht që në çdo ndeshje ne hyjmë për të marrë fitoren dhe përjashtim nuk bën as ndeshja me Vllazninë. Natyrisht, në një ndeshje kampionati dhe gjatë zhvillimit të garës janë prezente të gjitha rezultatet, si fitorja, ashtu edhe humbja apo barazimi. E rëndësishme mbetet që skuadra të vijojë të luajë mirë dhe të marrë rezultat, ndërsa padyshim që do të kërkojmë fitoren.
Dy barazimet e fundit krijojnë ndopak presion?
– Aspak, pasi për gjithçka llogari jepet në fund të sezonit. Nuk shikohen dy barazimet tani, kur jemi aktualisht në mes të garës, apo një humbje apo fitore. Qëllimi mbetet që të shohim në fund të kampionatit dhe te realizojmë objektivin që ne kemi për këtë sezon futbollistik.
Vllaznia vjen në një moment aspak pozitiv. Do ta keni më të lehtë?
– Nuk e shikoj kundërshtarin nga pozicioni. Jo vetëm Vllazninë, por çdo kundërshtar tjetër nuk e shoh në renditjen që ka. Vllaznia ka në gjirin e vet lojtarë shumë cilësorë, që kanë qenë pjesë e merkatos si Orelesi, Vucaj, Lika apo Hasani, lojtar që e kisha pjesë të projektit tek Flamurtari por nuk u realizua, ndaj është një kundërshtar mjaft cilësor dhe duhet kujdes maksimal
Flamurtari vjen me mungesa në këtë ndeshje. Sa ju pengon ky fakt?
– Po, janë dy mungesa shumë të rëndësishme në mesfushë si Useini dhe Zhufo, por ka lojtarë të tjerë që janë në organikë të skuadrës. Natyrisht, bëhet fjalë për dy lojtarë shumë të rëndësishëm për lojën e skuadrës, por natyrisht do të gjejmë zgjidhjet që duhen, për të hedhur në formacion lojtarët që mendojmë për këtë takim ndaj Vllaznisë.
Rikthehen tifozët në këtë ndeshje?
– Kjo është shumë e rëndësishme. Si nga ajo çfarë po bën klubi për të qenë të pranishëm nxënës të shkollave, dhe rikthimin e tifozëve në stadium. Diçka mjaft e rëndësishme, pasi një ndeshje futbolli luhet për tifozët dhe nuk ka kuptim pa praninë e tyre një takim në kampionat.
Flamurtari ndërkohë ka nisur merkaton…
– Kemi afruar një lojtar serb, lëvizja e të cilit jam mjaft i kënaqur që u bë realitet. Një lojtar që e kërkova edhe në verë dhe që ishte objekt i merkatos së Shkëndijës së Tetovës dhe disa skuadrave të tjera. Zgjodhi të shkonte në Hong Kong, ku dihet si janë pagesat, ndërsa tashmë është pjesë e Flamurtarit dhe unë jam shumë i kënaqur që është pjesë e skuadrës sonë. Një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe mund të luajë në disa pozicione në sulm.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.