Viti 2018 nuk është se do të mbahet mend për mirë në kampin e Gjermanisë. Përkundrazi, tifozët e kombëtares duan ta harrojnë sa më shpejt. Ekipi i Hoakim Lëv dështoi në mënyrë të papritur në Botërorin e Rusisë, duke u eliminuar në fazën e grupeve të kompeticionit. Një fitore e vuajtur përballë Suedisë në minutat e fundit dhe dy humbje kundër Meksikës dhe Koresë së Jugut.
Por, këto nuk kanë qenë humbjet e vetme të kombëtares së pancerave në këtë vit. Në 13 ndeshje të zhvilluara, Gjermani numëron 4 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje. Një bilanc tepër negativ që thyen dhe rekordin e 33 viteve më parë.
Ishte viti 1985 dhe në stolin e kombëtares ishte Franc Bekenbauer. Gjatë atij viti, Gjermania zhvilloi 11 ndeshje me një bilanc prej 4 fitoresh, 2 barazimesh dhe 5 humbjesh.
Hoakim Lëv ka përdorur 33 lojtarë gjatë këtij viti, ndërkohë që kanë debutuar 5 të tillë (Petersen, Haverc, Shulz, Kehrer, Uth). Në të 13 ndeshjet, Gjermania ka shënuar 14 gola, ndërsa një vit më parë shënonte 43 gola në 15 ndeshje. Vetëm Toni Kros, Leroi Sane dhe Timo Verner kanë arritur të shënojnë më shumë se 1 gol.
13 ndeshjet e Gjermanisë gjatë vitit 2018
23 Mars Gjermani – Spanjë 1-1 (Miqësore)
27 Mars Gjermani – Brazil 0-1 (Miqësore)
2 Qershor Austri – Gjermani 2-1 (Miqësore)
8 Qershor Gjermani – Arabia Saudite 2-1 (Miqësore)
16 Qershor Gjermani – Meksikë 0-1 (Kupa e Botës)
23 Qershor Gjermani – Suedi 2-1 (Kupa e Botës)
27 Qershor Korea e Jugut – Gjermani 2-0 (Kupa e Botës)
6 Shtator Gjermani – Francë 0-0 (Liga e Kombeve)
9 Shtator Gjermani – Peru 2-1 (Miqësore)
13 Tetor Holandë – Gjermani 3-0 (Liga e Kombeve)
16 Tetor Francë – Gjermani 2-1 (Liga e Kombeve)
15 Nëntor Gjermani – Rusi 3-0 (Miqësore)
19 Nëntor Gjermani – Holandë 2-2 (Liga e Kombeve)