Roma nuk ndalon së emocionuari tifozët e saj. Skuadra e drejtuar nga Euzebio Di Françesko arriti të fitonte në transfertën kundër Frozinones me rezultatin 2 – 3 , por për të marrë tre pikët u desh një gol në minutën e pestë shtesë nga Edin Xheko.
Ndeshja filloi me vendasit që befasuan që në fillim të ndeshjes, teksa shënuan golin e parë me anë të Çianos. Roma u kundërpërgjigj brenda pjesës duke shënuar dy gola në dy minuta me autor Pelegrinin dhe Xhekon.
Në minutën e 80-të një kundërsulm i Frozinones u finalizua nga Pinamonti dhe u duk se Roma do të rikthehej në kryeqytet më një pikë, por për tri pikët mendon Xheko, i cili shtyn topin pas drejt rrjetës pas një topi nga El Sharaui në minutën e 95-të.
FROZINONE 2 – 3 ROMA
Shënues: Çiano 5’, Pinamonti 80’ / Xheko 90+5